Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim ndaj të akuzuarve për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq ku katër të akuzuarit Nedelkjo Spaspojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq janë dënuar me mbi 20 vite burgim së bashku.
Shpallja e këtij aktgjykimi u bë të premten, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Spasojeviq u dënua me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale të ricilësuar nga krimi i organizuar në veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe dënim me gjobë 4 mijë e 500 euro për armëmbajtje pa leje, e cila vepër po ashtu u ricilësua nga gjykata nga paragrafi 2 në paragrafin 1.
I akuzuari Roshiq, u dënua me 8 vite burgim për krim të organizuar lidhur me veprën penale të vrasjes së rëndë, për të cilin gjykatësi Kurtaj tha se i caktohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi. Gjykata caktimin e paraburgimit do ta bëjë me vendim të posaçëm.
Ndërsa, të akuzuarit Markoviq dhe Jonavoiq u dënuan me nga 4 vite burgim për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro. Markoviq u lirua nga akuza për “zbulim të fshehtësisë zyrtare” derisa Jovanoviq u dënua për armëmbajtje pa leje me 1 mijë e 500 euro.
Kurse, e akuzuara Arsoviq u lirua nga akuza për krim të organizuar lidhur me veprën penale vrasjes e rëndë dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.
E për të akuzuarin Basara gjykata shqiptoi aktgjykim refuzues, pasi që në seancën e kaluar prokurori i shtetit është tërhequr nga ndjekja penale.
Në dënimin e shqiptuar me burgim, të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak, ndërsa dënimet obligohen që të paguajnë në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.
Në rast se dënimin me gjobë nuk mund ta paguajnë i njëjti dënim do t’iu zëvendësohet në dënim me burgim duke iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.
Po ashtu, gjykata shqiptoi edhe dënimin plotësues – marrja e sendit, konfiskimi i sendeve të përdoruara ose të destinuara për kryerjen e veprave penale. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi urdhërohet shkatërrimi i armëve të konfiskuara.
Të akuzuarit, Spasojeviq, Roshiq, Markoviq dhe Jovanoviq secili veç e veç po ashtu u obliguan që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe atë shumën prej 350 euro paushallin gjyqësor dhe 100 euro tjera për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Ndërsa, Arsoviq dhe Basara u liruan nga këto shpenzime.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike pala e dëmtuar u udhëzua në kontest civilo- juridik.
Në shpallje të aktgjykimi të pranishëm nuk ishin as prokurori special e asnjë nga të akuzuarit.
Ndërsa, palët e pakënaqura kundër këtij vendimi brenda afatit ligjor kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal. Detajet nga aktakuza, mund t’i gjeni: KËTU.
Ndërsa, më 27 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, të cilin e ngarkon me katër vepra penale. /BetimipërDrejtësi






