Mauricio Pochettino ka rrëfyer se periudha e tij te Paris Saint-Germain gjatë sezonit 2021/22, kur kishte nën urdhra Lionel Messi, Kylian Mbappé dhe Neymar, i tregoi sa e vështirë është të bësh të funksionojë një treshe kaq e talentuar në mënyrë të balancuar.
Sipas trajnerit argjentinas, problemi nuk lidhej vetëm me egot, por edhe me stilet e ndryshme të lojës.
“Messi donte të ndërtonte lojën nga mbrapa, më ngadalë, me kombinime dhe pasime. Ai ka cilësinë ta mbajë topin dhe të driblojë disa lojtarë. Por nëse luanim për Mbappén, nuk mund të luanim për Messin”, ka deklaruar Pochettino për The Overlap.
Ai shpjegoi se Mbappé ishte më i rrezikshëm në momentet e tranzicionit, kur skuadra rikuperonte topin dhe nisej shpejt në sulm, duke kërkuar hapësira për vrapime.
“Mbappé, kur e fitonim topin, kërkonte hapësirë. Ishte çështje t’ia jepje topin dhe ta lije të vraponte. Por kur luanim për Messin, ai më thoshte: ‘Forca ime është të vrapoj, por nuk mundem’”, shtoi ai.
Ndryshe nga Mbappé, Pochettino theksoi se me Neymarin nuk kishte të njëjtin problem, pasi braziliani dëshironte të ishte vazhdimisht i përfshirë në lojë me topin.
Ai nënvizoi se kombinimi i tre profileve kaq të ndryshme përbënte një sfidë të madhe taktike. Në fund të sezonit, Pochettino u shkarkua, pavarësisht se fitoi titullin në Francë, ndërsa në Ligën e Kampionëve PSG u eliminua nga Real Madrid në fazën e 1/8-ës.





