Ministria e Arsimit nuk ka informata rreth zhvillimit apo jo të procesit mësimor në komunat veriore. Por, sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, disa shkolla në atë pjesë nuk janë duke mbajtur mësim.
“Jemi të informuar për situatën në veri, edhe në diskutimet që i kemi bërë në Qeveri. Nuk kemi raport zyrtar për shkollat atje, por kemi informata që në disa shkolla nuk është zhvilluar mësimi. Por për shkak të punës së trashëguar, përkundër angazhimit tonë që t’i përfshijmë këto institucione, ato kanë vazhduar të bëjnë rezistencën, sepse gjithë këto vite nuk kanë qenë të përfshirë në arsim, por vetëm janë përfshirë kur kanë përfituar diçka”, tha Nagavci.
Megjithatë, e para e Ministrisë së Arsimit kërkoi që të gjitha orët e humbura të kompensohen.
“Kompensimi i orëve të humbura është obligim i shkollave, të sigurohet që të mos humbet asnjë orë. Është e ditur që mësimi nuk është zhvilluar, e kemi diskutuar disa herë, e kemi përmendur që kjo ka ndodhur edhe si pasojë interferimeve politike nga prindërit. Shkollat duhet të jenë të angazhuara që nxënësit të mos humbasin asnjë kapitull, atyre ju takon si përgjegjësi”, tha ajo.
Përkundër angazhimit që institucionet arsimore të veriut të përfshihen në sistemin e arsimit në Kosovë, një gjë e tillë nuk është arritur. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: