Përgatiti: Fatlum Jashari
Kosova duhet të bëjë hapa të mëtejmë shtensionues në veri, për ta bindur Bashkimin Evropian për heqjen e masave ndëshkuese.
Bashkimi Evropian njoftoi se po përcjell nga afër zhvillimet në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, për të parë nëse kërkesat e saj nga viti i kaluar, në raport me deeskalimin e plotë po përmbushen.
“Po ashtu, po punojmë me partnerët që t’u ndihmojmë atyre të ndërmarrin hapat e nevojshëm për deeskalim, për të zgjidhur problemet që kontribuuan në krizat e fundit. Dhe, kur të jenë ndërmarrë mjaftueshëm hapa pozitivë, BE-ja do të rishqyrtojë masat ndaj Kosovës dhe eventualisht t’i heqë ato”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.
BE-ja nuk ka dyshim që marrëveshja bazë dhe shtojca mbesin detyrime ligjore për Kosovën dhe Serbinë, dhe kusht në procesin e anëtarësimit.
“Nuk e komentojmë përmbajtjen e letrave të ndryshme që pranojmë. Nuk jam në dijeni që Serbia zyrtarisht të ketë ri-shpallur zotimet e saj që dalin nga Marrëveshja e Brukselit ose Shtojca e Ohrit. Kështu që kjo është marrëveshje ligjërisht obliguese dhe zbatimin e saj e kanë marrë përsipër të dyja palët”, tha Stano.
Derisa në Serbi vazhdon pritja për formimin e Qeverisë së re, BE-ja ende nuk ka datë për një takim eventual të nivelit të lartë në dialog.
“Puna në dialog vazhdon dhe fokusi i kësaj pune është në zbatimin e asaj që ishte dakorduar, vitin e kaluar, në Bruksel dhe në Ohër. Kjo është shumë e rëndësishme. E kemi parë që përparimi është i mundur, kur disa ditë më parë, Kosova dhe Serbia u pajtuan t’i njohin targat e automjeteve, pa regjimin e stikerëve. Kjo është dëshmi konkrete që përparimi është i mundur nëse ka mjaftueshëm vullnet të mirë. Shpresojmë që kjo të vazhdojë edhe pasi të formohet Qeveria e re e Serbisë”, tha Stano.
Në nëntor të vitit të kaluar, BE-ja u prezantoi kryenegociatorëve një draft të ri të planit të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes bazë dhe shtojcës.
Bashkimi Evropian ka përsëritur se shtetet anëtare dhe partnerët, duke veçuar SHBA-në, presin që Kosova dhe Serbia të mos humbasin kohë për zbatimin.





