Përgatiti: Besmire Kluna
Pak kush jashtë Kosovës kishte dëgjuar për Reçakun para 15 janarit të 99-ës.
Por pikërisht në këtë ditë, 26 vjet më parë në këtë fshat të Shtimes, u vranë 45 civilë shqiptarë, ngjarje kjo e cila do t’i jepte kahe tjetër historisë së Kosovës.
Tmerrin e masakrës, sipas historianëve e dëshmojnë edhe burimet arkivore.
“Edhe Pashiqi, ai që ishte shumë më herët se sa ky udhëheqës i Serbisë, ka mohuar krimet që kanë kryer serbët në Kosovë. Kemi mohimin e krimeve edhe në Luftën e Dytë Botërore që bëjnë serbët në Kosovë. E mohojnë edhe Rankoviqi edhe Tito. Dhe natyrisht këta të fundit janë bashkëpjesëmarrës në krimet në Kosovë, për shkak se ata kanë qenë para 26 viteve pjesë e qeverisë kriminale të Millosheviqi’’, tha Selim Bezeraj, profesor i historisë.
Për këtë krim të cilin shteti serb mohon të ketë ndodhur, askush nuk është dënuar.
‘’E dinë edhe Prokuroria Speciale që masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës dihet qartë se kush ka qenë komandant i policisë, komandant i forcave ushtarake, komandant i forcave paramilitare, do të thotë grupet kriminale paraushtarake që kanë kryer krimet në Kosovë. Dhe nëse do të kishim më shumë aktakuza që e prekin zingjirin komandues, në një mënyrë do të rritej edhe llogaridhënia edhe përgjegjësia e personave të cilët kanë qenë urdhërdhënës në këto masakra’’, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO sulmoi caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi. Por për viktimat, as 26 vjet pas nuk pati drejtësi.
“Fare pak apo aspak është ofruar drejtësi për viktimat civile të cilat janë vrarë 26 vjet më parë në masakrën e Reçakut. Sigurisht që këtu një prej problemeve apo sfidave është mos bashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë dhe personat të cilët i kanë bërë këto krime nuk gjenden në Kosovë”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
I pari që botës i kumtoi tmerrin që kishte ndodhur në Reçak shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: