Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatiten intensivisht për organizimin e FIFA World Cup 2026, duke ndërmarrë masa të veçanta që do të ndikojnë drejtpërdrejt edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme pritet të zbatohet në New York City, ku gjatë muajit të Botërorit, disa pika kyçe të transportit publik do të kenë qasje të kufizuar vetëm për tifozët me bileta.
Kjo masë lidhet me tetë ndeshjet që do të zhvillohen në MetLife Stadium, një nga arenat kryesore të turneut. Për të menaxhuar fluksin e madh të tifozëve, Penn Station, një nga stacionet më të frekuentuara në zemër të Manhattanit, do të shërbejë si nyje kryesore transporti drejt stadiumit.
Sipas rregullave të reja, për rreth katër orë para çdo ndeshjeje, ky stacion do të jetë i aksesueshëm vetëm për tifozët që posedojnë bileta për ndeshjet e Kupës së Botës, duke kufizuar hyrjen për qytetarët e tjerë.
Kjo masë synon të garantojë siguri, organizim më të mirë dhe një përvojë sa më të rrjedhshme për mijëra tifozë që pritet të udhëtojnë drejt stadiumit gjatë këtij eventi madhor sportiv.






