Përgatiti: Kastriot Tahiri
Në burgun e Gjilanit, të dënuarit danez do ta vuanin dënimin, nëse Marrëveshja me Danimarkën për shfrytëzimin e hapësirave të burgut, do të votohej me kohë edhe nga opozita.
Kjo marrëveshje për herë të dytë të enjtën do të jetë në rend dite në seancën plenare. Megjithatë Partia Demokratike e Kosovës, nuk ka ndryshuar qëndrim lidhur me të.
“Partia Demokratike e Kosovës tashmë disa herë e ka qartësuar pozicionin e saj sa i përket mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ne kemi thënë që nuk do të votojmë asnjë marrëveshje përderisa nuk ka një dakordsi, ose marrëveshje për zgjedhje të reja”, tha deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.
As brenda LDK-së nuk ka unanimitet të plotë.
“Brenda LDK-së është diskutuar gjatë çështja e kësaj marrëveshje, më duhet të them që nuk ka unanimitet të plotë, të them një vendimmarrje unanime të Grupit Parlamentar të LDK-së që të ketë një mbështetje të plotë për shkak të dallimeve që ka brenda grupit për disa arsye”, tha deputetja e LDK-së, Driton Selmanaj.
Ndryshe nga PDK e LDK, marrëveshja do të votohet nga AAK-ja.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Do të votojë edhe këtë marrëveshje ndërkombëtare. Kemi qenë të informuar kësaj radhe edhe prej ministrit, por edhe më herët për përmbajtjen”, tha deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri.
Por partia në pushtet, mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare e quan inat.
“Për fat të keq, sidomos Grupi Parlamentar i PDK-së, ka vendosur që të mos votojë asgjë në Kuvendin e Kosovës dhe tashmë po mbetet peng. Unë uroj që takimi i përfaqësuesve të Grupit Parlamentar me ministrin danez të Drejtësisë do t’i bëjë që të reflektojnë dhe ta votojnë këtë marrëveshje. Sepse në të kundërtën i lëndojmë raportet bilaterale dhe strategjike me partnerin tonë që është Mbretëria daneze në këtë rast”, tha deputeti i LV-së, Adnan Rrustemi.
Marrëveshja për burgje ishte ratifikuar në parlamentin danez në vitin 2022. Ndërkaq, Kosova dhe Danimarka në dhjetor të vitit 2021 kanë nënshkruar një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim Danimarkës.