Marc Cucurella ka bërë një premtim të pazakontë për të ardhmen e tij me kombëtaren spanjolle. Mbrojtësi i “La Roja” ka deklaruar se do të tërhiqet nga futbolli ndërkombëtar nëse Spanja triumfon ndaj Argjentinës në finalen e Kupës së Botës 2026.
Cucurella beson se fitimi i Kampionatit Evropian dhe Kupës së Botës do të ishte arritja perfekte me fanellën e kombëtares dhe se pas këtyre dy trofeve nuk do të kishte më shumë për të kërkuar.
Mbrojtësi i Chelsea-t ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Spanjës gjatë këtij Botërori, duke luajtur çdo minutë në rrugëtimin drejt finales. Pas triumfit në Euro 2024, 27-vjeçari e sheh një tjetër trofe madhor si mbylljen ideale të aventurës së tij me “La Roja”.
I kthyer në një titullar të padiskutueshëm nën drejtimin e Luis de la Fuente, Cucurella ka edhe një premtim tjetër për trajnerin që e riktheu Spanjën në majat e futbollit.
Në një intervistë për gazetën franceze “L’Equipe”, ai zbuloi se do t’i kërkonte trajnerit të mos e grumbullonte më nëse Spanja shpallet kampione e botës.
“Nëse fitojmë Kupën e Botës, do ta telefonoj Luisin të nesërmen dhe do t’i them të mos mbështetet më tek unë, sepse po tërhiqem nga kombëtarja. Me titujt e Evropianit dhe Botërorit, nuk mund të bëhet më mirë se kaq”, tha Cucurella.
Por ky nuk ishte premtimi i vetëm i mbrojtësit spanjoll. I njohur për stilin e tij të veçantë dhe flokët karakteristikë, Cucurella ka zbuluar se do të bëjë edhe një tatuazh të veçantë nëse Spanja mposht Argjentinën.
“Nëse fitojmë Kupën e Botës, do të bëj tatuazh fytyrën e trajnerit Luis de la Fuente në bicepsin tim”, deklaroi ai për “Fox Sports”.
Spanja dhe Argjentina do të përballen të dielën nga ora 21:00 në “MetLife Stadium”, në finalen e madhe të Kupës së Botës 2026.





