Prokuroria Themelore në Prizren ka nisur hetime me lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Suharekë, pas dyshimeve për manipulim të votave.
Në një njoftim për media, Prokuroria bën të ditur se hetimet janë iniciuar pas pranimit të informatave publike dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, me autorizim të Kryeprokurorit Petrit Kryeziu.
Sipas Prokurorisë, aktualisht po ndërmerren veprime hetimore në territorin e Komunës së Suharekës, ndërsa rasti lidhet me dyshimet për kryerjen e veprave penale që parashihen në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të cilat ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit.
Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, duke marrë parasysh interesimin e shtuar të opinionit publik dhe mediave, gjatë ditës do të lëshohet një komunikatë shtesë pas përfundimit të intervistimit të të dyshuarve në polici, ku do të jepen më shumë informacione për veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore.






