Manchester United ka konfirmuar emërimin e Michael Carrick si trajner të përhershëm të ekipit të parë, pas paraqitjeve mbresëlënëse në rolin e përkohshëm në “Old Trafford”.
Ish-mesfushori i klubit mori drejtimin e skuadrës në janar, pas largimit të Ruben Amorim, dhe arriti ta rikthejë ekipin në garë për kreun e tabelës në Liga Premier.
Carrick e nisi në mënyrë perfekte aventurën si trajner i përkohshëm, duke mposhtur Manchester City me rezultat 2-0 në derbin e qytetit. Më pas, ai regjistroi edhe një fitore dramatike 3-2 ndaj Arsenal në transfertë.
Nën drejtimin e tij, United siguroi gjithashtu fitore ndaj Liverpool, Chelsea, Aston Villa dhe Tottenham.
Edhe pse rezultatet ndaj skuadrave më të vogla nuk kanë qenë gjithmonë bindëse, Carrick ka arritur ta ngjisë Manchester Unitedin nga vendi i shtatë në të tretin, duke siguruar edhe kualifikimin në Liga e Kampionëve.
“Manchester United është i kënaqur të njoftojë se Michael Carrick do të vazhdojë si trajner kryesor i ekipit të parë të meshkujve, pasi ka nënshkruar një kontratë të re që do të zgjasë deri në vitin 2028”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.
Ky është roli i dytë i përhershëm i Carrickut si trajner, pasi më parë ai kishte drejtuar Middlesbrough për tre vite në Championship.





