Manchester City ka siguruar të ardhmen e një prej lojtarëve më të rëndësishëm të repartit defensiv. Kampioni anglez ka zyrtarizuar vazhdimin e kontratës me Josko Gvardiolin, i cili do të jetë pjesë e skuadrës nga “Etihad” deri në verën e vitit 2031.
Mbrojtësi kroat, i cili iu bashkua Cityt në vitin 2023 nga RB Leipzig për rreth 90 milionë euro, kishte ende dy vite të mbetura në marrëveshjen e mëparshme, por drejtuesit e klubit vendosën ta shpërblejnë me një kontratë të re afatgjatë.
Pas firmosjes së kontratës së re, Gvardiol nuk e fshehu kënaqësinë për vazhdimin e aventurës në Manchester, duke theksuar se qëndrimi te City ishte zgjedhja e tij e parë.
“Sapo mësova se Man City dëshironte të ma rinovonte kontratën, e kuptova menjëherë se kjo ishte ajo që doja. Është klubi më i mirë në botë për të luajtur”, deklaroi 24-vjeçari.
Reprezentuesi kroat vlerësoi edhe potencialin e skuadrës për sezonet e ardhshme, duke theksuar se grupi aktual ka cilësi dhe ambicie të mëdha.
“Lojtarët që janë këtu janë të jashtëzakonshëm. Kemi një ekip të ri, me shumë cilësi dhe potencial. Besoj se do të arrijmë suksese të mëdha në vitet që vijnë”, shtoi ai.
Që prej transferimit në Premier League, Gvardiol është shndërruar në një nga figurat kryesore të mbrojtjes së Manchester Cityt. Me fanellën e klubit anglez ai ka fituar pesë trofe, përfshirë titullin e Premier Leagues dhe FA Cup, duke dëshmuar vlerat e tij në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Edhe drejtori sportiv i Cityt, Hugo Viana, e cilësoi rinovimin si një lajm të rëndësishëm për klubin, duke theksuar besimin e plotë që kanë te mbrojtësi kroat.
“Josko është një futbollist tek i cili klubi beson plotësisht. Pavarësisht moshës së re, ai tashmë është një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Jemi shumë të lumtur që ai ka firmosur një kontratë të re”, u shpreh Viana.
Me këtë marrëveshje, Manchester City siguron shërbimet e një prej mbrojtësve më premtues në botë edhe për shumë vite, ndërsa Gvardiol vazhdon të ndërtojë trashëgiminë e tij në “Etihad”.





