Kombëtarja e Kosovës do të përballet sonte me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nga ora 20:45, në kuadër të finalës së play-off për kualfikim në Kupën e Botës 2026.
Në prag të këtij dueli vendimtar, një mesazh i veçantë mbështetjeje ka ardhur nga Spanja. Klubi i Mallorcas ka dalë publikisht në përkrahje të sulmuesit dhe kapitenit të Kosovës, Vedat Muriqi, duke e cilësuar atë si “një hap larg Kupës së Botës” përmes një postimi motivues në rrjetet sociale.
Ky reagim vjen në një moment shumë të rëndësishëm për përfaqësuesen kosovare, e cila synon të shkruajë historinë me një kualifikim të parë në një turne madhor botëror.
Forma e Muriqit këtë sezon me Mallorcan ka qenë mbresëlënëse. Sulmuesi kosovar ka realizuar 18 gola në La Liga, duke u shndërruar në golashënuesin kryesor të skuadrës dhe një nga figurat më të rëndësishme në luftën për mbijetesë. Shumë nga golat e tij kanë qenë vendimtarë, duke mbajtur ekipin larg zonës së rënies.
Përtej formës në klub, Muriqi mbetet një figurë kyçe edhe te Kosova. Si kapiten, ai ka treguar vazhdimisht lidership, karakter dhe prezencë të fortë në fushë, duke udhëhequr ekipin në momentet më të rëndësishme. Përvoja e tij në futbollin evropian pritet të jetë një faktor i rëndësishëm në përballjen ndaj Turqisë.
Tani, të gjitha sytë janë drejt stadiumit “Fadil Vokrri”, ku Muriqi dhe shokët e tij do të kërkojnë të bëjnë hapin më të madh në historinë e futbollit kosovar.






