Futbollistja e Kombëtares së Kosovës, Lumbardha Misini, ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e saj, duke u transferuar te Bayer Leverkusen.
Lajmi është konfirmuar nga Servette FCCF, i cili njoftoi se ka arritur marrëveshje me klubin gjerman për kalimin e sulmueses kosovare. Ky transferim shënon një moment historik për klubin zviceran, pasi konsiderohet marrëveshja më e madhe e realizuar ndonjëherë nga Servette në futbollin e femrave.
Misini iu bashkua skuadrës nga Gjeneva verën e kaluar, pasi u transferua nga Trabzonspori. Brenda vetëm një sezoni, ajo u shndërrua në një prej lojtareve më të rëndësishme të ekipit, duke regjistruar 25 paraqitje dhe duke dhënë një kontribut të çmuar në sukseset e klubit.
Falë paraqitjeve të shkëlqyera të saj, Servette riktheu dominimin në futbollin zviceran, duke fituar si titullin kampion ashtu edhe Kupën e Zvicrës.
Forma e lartë e Misinit, si me Servetten ashtu edhe me fanellën e Kombëtares së Kosovës, nuk kaloi pa u vënë re nga klubet elitare evropiane. Interesimi konkret u kurorëzua me transferimin te Bayer Leverkusen, ku ajo do të vazhdojë karrierën në një nga kampionatet më të forta të futbollit të femrave.
Në njoftimin e tij, Servette FCCF falënderoi futbollisten kosovare për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë gjatë sezonit të kaluar, duke i uruar suksese në sfidën e re me klubin gjerman.
Kalimi te Bayer Leverkusen përfaqëson një tjetër arritje të rëndësishme për futbollin e Kosovës dhe një dëshmi të rritjes së vazhdueshme të Lumbardha Misinit në skenën ndërkombëtare.





