15.1 C
Pristina
Monday, March 16, 2026

Lufta në Iran dhe tronditja e tregjeve globale të energjisë

AKADEMIK. PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

Lufta në Iran është shndërruar brenda pak javësh nga një konflikt rajonal, në një krizë me pasoja globale. Përshkallëzimi i tensioneve në Gjirin Persik ka vënë në lëvizje tregjet ndërkombëtare të energjisë, ka rritur shqetësimet për stabilitetin ekonomik botëror dhe ka rikthyer në qendër të debatit gjeopolitik rëndësinë strategjike të energjisë. Në një botë të karakterizuar nga ndërvarësi të thella ekonomike dhe nga një sistem energjetik ende i mbështetur në mënyrë të konsiderueshme te karburantet fosile, çdo krizë në Lindjen e Mesme ka potencialin të shndërrohet shpejt në një tronditje globale.

Në qendër të kësaj krize ndodhet Ngushtica e Hormuzit, korridori detar që lidh Gjirin Persik me oqeanin e hapur dhe që përbën një nga nyjat më të rëndësishme të ekonomisë botërore. Rreth një e pesta e konsumit global të naftës kalon përmes kësaj rruge, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e gazit natyror të lëngëzuar që eksportohet nga vendet e Gjirit ndjek të njëjtën trajektore. Për këtë arsye, Ngushtica e Hormuzit nuk është thjesht një kalim detar, por një arterie jetike e sistemit energjetik global. Çdo destabilizim në këtë zonë ka pasoja të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare dhe në pritshmëritë e aktorëve ekonomikë.

Sulmet ndaj anijeve tregtare dhe aktiviteti ushtarak në rajon kanë bërë që shumë kompani transporti dhe sigurimi të rishikojnë operimin e tyre në Gjirin Persik. Në disa raste, tarifat e sigurimit për tankerët janë rritur ndjeshëm, ndërsa disa kompani kanë zgjedhur të devijojnë itineraret ose të shtyjnë dërgesat. Si pasojë, trafiku i tankerëve është reduktuar dhe kostot e transportit janë rritur, duke shtuar presionin mbi çmimet ndërkombëtare të energjisë. Tregjet, reagojnë shpesh jo vetëm ndaj zhvillimeve konkrete, por edhe ndaj perceptimit të rrezikut. Në këtë kuptim, vetë mundësia e një ndërprerjeje të furnizimit është e mjaftueshme për të gjeneruar paqëndrueshmëri në çmimet e naftës. Rritja e çmimeve të naftës përkthehet shpejt në rritje të kostove të transportit, të prodhimit industrial dhe të ushqimeve, duke ushtruar presion mbi inflacionin dhe mbi politikat monetare të shumë vendeve. Në këtë kuadër, kriza aktuale nuk duhet parë vetëm si një zhvillim në një rajon të caktuar të botës, por si një episod që nxjerr në pah dobësitë strukturore të sistemit energjetik global.

Në të njëjtën kohë, kjo krizë vjen në një moment kur rendi ndërkombëtar po kalon një fazë të re transformimi. Rivalitetet midis fuqive të mëdha janë intensifikuar, zinxhirët globalë të furnizimit janë bërë më të brishtë dhe tregjet e energjisë janë tashmë të ndikuara nga një ndërthurje faktorësh ekonomikë, strategjikë dhe politikë. Në këtë kontekst, zhvillimet në Gjirin Persik nuk janë vetëm një krizë rajonale, por edhe një test për mënyrën se si ekonomia globale dhe institucionet ndërkombëtare reagojnë ndaj tronditjeve të mëdha gjeopolitike. Pikërisht për këtë arsye, reagimi i aktorëve ndërkombëtarë dhe koordinimi midis ekonomive kryesore të botës merr një rëndësi të veçantë.

KOORDINIMI EMERGJENT I G7-S

Në 11 mars, nën Presidencën franceze u thirr një takim virtual i vendeve të G7-s, për të analizuar pasojat globale të konfliktit, dhe ndikimin e tij në tregjet e energjisë e për të koordinuar një përgjigje të përbashkët për të stabilizuar situatën.

Në deklaratën e përbashkët u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar për të garantuar furnizimin global me energji dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit në rajon. Një nga vendimet më të rëndësishme ishte mbështetja për lirimin e rezervave strategjike të naftës nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, deri në 400 milionë fuçi, një ndërhyrje që synon të qetësojë tregjet dhe të kompensojë përkohësisht ndërprerjet e furnizimit nga Gjiri Persik. Kjo për arsye se ndikimi i krizës po kërcënon rezervat energjetike të shteteve kryesore.

Ky forum përfaqëson ekonomitë më të industrializuara të botës dhe historikisht ka luajtur një rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizave ekonomike dhe energjetike ndërkombëtare. Koordinimi ndërkombëtar në fushën e energjisë ka rrënjë të thella historike. Pas krizës së 1973 kur embargoja e vendeve arabe shkaktoi një tronditje të madhe ekonomike në Perëndim, vendet e industrializuara filluan të ndërtojnë mekanizma të përbashkët për menaxhimin e krizave energjetike. Një nga rezultatet kryesore ishte krijimi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë në vitin 1974, një institucion që koordinon rezervat strategjike të energjisë dhe bashkëpunimin midis ekonomive të industrializuara duke reaguar ndaj krizave te herëpashershme, (ajo e vitit 1991, ndaj krizës nga lufta Rusi-Ukraine, vendosja e një tavani çmimi për eksportet e naftës ruse, etj.).

Në këtë kuptim, reagimi ndaj krizës aktuale është pjesë e një tradite më të gjerë bashkëpunimi ndërkombëtar për menaxhimin e krizave energjetike.

TREGJET E NAFTËS NËN PRESION

Tregjet ndërkombëtare të energjisë reaguan menjëherë ndaj përshkallëzimit të konfliktit. Çmimet e naftës u rritën ndjeshëm ndërsa investitorët dhe operatorët e tregut filluan të vlerësojnë rrezikun e ndërprerjeve të furnizimit nga rajoni i Gjirit Persik, një nga zonat më të rëndësishme prodhuese dhe eksportuese të energjisë në botë. Në situata të tilla, tregjet reagojnë shpesh me shpejtësi, sepse nafta mbetet një mall strategjik që ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e ekonomisë globale. Tregu i naftës është shumë i ndjeshëm ndaj perceptimit të rrezikut gjeopolitik, i cili shpesh reflektohet në çmimet e kontratave të ardhshme dhe në vendimet e aktorëve financiarë. Rëndësia e rajonit të Gjirit Persik për tregun global të energjisë e bën këtë situatë edhe më delikate. Vende si Arabia Saudite, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti dhe Katari përfaqësojnë një pjesë të madhe të prodhimit dhe eksporteve botërore të energjisë. Në këtë kontekst, edhe perceptimi i rrezikut është i mjaftueshëm për të shkaktuar luhatje të mëdha në çmimet e naftës. Kompanitë e transportit mund të kërkojnë tarifa më të larta sigurimi, disa tankerë mund të zgjedhin rrugë alternative ose të shtyjnë dërgesat, ndërsa investitorët financiarë mund të rrisin aktivitetin spekulativ në tregjet e energjisë. Të gjitha këto faktorë kontribuojnë në një klimë pasigurie që reflektohet drejtpërdrejt në tregjet ndërkombëtare. Për më tepër, tregu i naftës sot është shumë më i ndërlidhur me tregjet financiare sesa në të kaluarën. Fondet e investimeve, bankat dhe aktorët financiarë luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e çmimeve përmes tregtimit të kontratave të ardhshme dhe instrumenteve të tjera financiare. Kjo do të thotë se tensionet gjeopolitike mund të përforcohen nga dinamika financiare, duke krijuar luhatje edhe më të mëdha në treg. Nëse kriza në Gjirin Persik vazhdon, presioni mbi tregjet e energjisë mund të intensifikohet edhe më tej. Për këtë arsye, zhvillimet në tregjet e energjisë po ndiqen me vëmendje jo vetëm nga kompanitë energjetike, por edhe nga qeveritë dhe institucionet financiare në të gjithë botën.

INFLACIONI DHE PRESIONI EKONOMIK

Pasojat ekonomike të konfliktit shtrihen shumë përtej tregut të energjisë. Rritja e çmimeve të naftës zakonisht përhapet me shpejtësi në të gjithë ekonominë globale, sepse energjia mbetet një input themelor për transportin, prodhimin industrial dhe funksionimin e zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit. Kur çmimet e energjisë rriten, ndikimi i tyre transmetohet në mënyrë graduale në pothuajse çdo sektor të aktivitetit ekonomik. Çmimet më të larta të energjisë rrisin menjëherë kostot e transportit dhe të logjistikës. Mallrat që transportohen në distanca të gjata bëhen më të shtrenjta, ndërsa kompanitë përballen me rritje të shpenzimeve për prodhimin dhe shpërndarjen. Në sektorin industrial, energjia është një komponent kyç i proceseve të prodhimit, ndaj çdo rritje e çmimit të saj reflektohet në koston përfundimtare të produkteve. Në të njëjtën kohë, ndërprerjet në eksportet petrokimike nga rajoni i Gjirit Persik ndikojnë në furnizimin me plehra kimikë dhe produkte të tjera të rëndësishme për bujqësinë dhe industrinë, duke reflektuar më pas në çmimet për konsumatorët.

Në një moment kur shumë ekonomi ende përballen me pasojat e krizave të viteve të fundit, një tronditje e re energjetike mund të përkthehet në një valë të re inflacioni global. Bankat qendrore në shumë vende janë ende të angazhuara në përpjekje për të stabilizuar çmimet dhe për të kontrolluar inflacionin (e postpandemisë dhe luftës Rusi-Ukrainë). Një rritje e re e kostove të energjisë mund ta bëjë këtë proces edhe më të vështirë, duke vendosur ekonomitë përballë një dileme midis stabilitetit të çmimeve dhe ruajtjes së ritmit të rritjes ekonomike. Rreziku i shfaqjes së inflacionit të jashtëm edhe për vendin tonë, nëse kriza zgjat, duhet konsideruar.

KONKURRENCA GJEOPOLITIKE PËR ENERGJINË

Kriza aktuale ka rikthyer fuqishëm në qendër dimensionin gjeopolitik të energjisë. Energjia nuk është vetëm një burim ekonomik që ushqen industrinë dhe transportin global, por edhe një instrument i rëndësishëm i fuqisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Historia e politikës botërore tregon se kontrolli mbi burimet energjetike dhe mbi korridoret e transportit të tyre shpesh ka qenë i lidhur ngushtë me ndikimin strategjik të shteteve.

Në këtë kontekst, aftësia e Iranit për të kërcënuar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit tregon qartë se si kontrolli mbi një korridor strategjik mund të shndërrohet në një instrument presioni gjeopolitik. Vetë mundësia e ndërprerjes së trafikut është e mjaftueshme për të krijuar tension në tregjet ndërkombëtare dhe për të rritur ndikimin politik të aktorëve që kanë kapacitetin ta destabilizojnë këtë korridor. Në të njëjtën kohë, kriza po krijon mundësi për eksportues të tjerë të energjisë që mund të përfitojnë nga rritja e çmimeve dhe nga kërkesa për furnizime alternative. SHBA falë revolucionit të prodhimit të naftës dhe gazit nga shale në dekadën e fundit, është shndërruar në një nga prodhuesit kryesorë të energjisë në botë. Në një situatë ku furnizimet nga Gjiri Persik bëhen më të pasigurta, prodhimi amerikan mund të marrë një rëndësi edhe më të madhe për stabilitetin e tregjeve ndërkombëtare.

Gjithashtu, Federata Ruse mbetet një nga eksportuesit më të mëdhenj të energjisë dhe mund të përfitojë nga çmimet më të larta të naftës. Edhe pse Moska përballet me sanksione të gjera nga Perëndimi tregjet globale të energjisë mbeten të ndërlidhura dhe çdo rritje e çmimeve globale ka potencialin të rrisë të ardhurat nga eksportet energjetike ruse.

Kjo krizë nxjerr në pah rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të fuqive të mëdha konsumuese të energjisë. Kina, importuesi më i madh i energjisë në botë, po ndjek me vëmendje zhvillimet në Gjirin Persik. Stabiliteti i këtij rajoni është thelbësor për sigurinë energjetike të ekonomisë kineze, e cila mbështetet në importe të mëdha të naftës nga Lindja e Mesme.

Përveç konkurrencës midis eksportuesve dhe konsumatorëve të energjisë, kriza aktuale reflekton edhe një transformim më të gjerë të gjeopolitikës së energjisë. Në një botë ku tranzicioni drejt burimeve të rinovueshme është në proces, por ende larg përfundimit, energjia fosile vazhdon të luajë një rol qendror në balancat strategjike ndërkombëtare. Kjo do të thotë se tensionet në rajone prodhuese si Lindja e Mesme kanë potencialin të ndikojnë jo vetëm në tregjet e energjisë, por edhe në marrëdhëniet politike dhe strategjike midis fuqive të mëdha.

Kriza aktuale është një kujtesë se gjeopolitika e energjisë mbetet një nga dimensionet më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare dhe çështje e strategjive kombëtare të çdo vendi, prandaj ajo do të vazhdojë të mbetet edhe një faktor kyç në rivalitetin midis fuqive të mëdha. Por, kriza aktuale mund të shndërrohet në një moment reflektimi për sistemin energjetik global të energjisë që mbetet në një ekuilibër të brishtë. Prandaj, nëse tensionet në Gjirin Persik vazhdojnë, bota mund të përballet me një nga krizat më serioze energjetike të dekadave të fundit. Nëse situata stabilizohet, kjo krizë mund të shërbejë si një paralajmërim për dobësitë strukturore të sistemit global të energjisë.

Në çdo rast, zhvillimet e fundit tregojnë se në ekonominë globale të shekullit XXI energjia, ekonomia dhe gjeopolitika mbeten thellësisht të ndërthurura dhe me rëndësi për t’u bashkëkoordinuar.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA