NGA AKADEMIK, ANASTAS ANGJELI
E menjëhershme, e vendosur dhe e drejtpërdrejt ishte kundërshtia dhe “goditja” që Presidenti Trump bëri ndaj Samitit të BRICS, mbajtur më 6 dhe 7 korrik 2025 në Rio de Janeiro dhe deklaratës së këtij samiti. Ai theksoi se vendet që përkrahnin dhe mbështesnin BRICS do të ndëshkoheshin me një tarifë shtesë prej 10%. Duket se “lufta e tarifave” si një instrument i diplomacisë ekonomike të Presidentit Trump nuk ndalet. Por ajo nuk është thjeshtë një luftë ekonomike si pjesë e diplomacisë ekonomike të Presidentit Trump. Në brendësi ajo është edhe parimore e politikës. Ajo i bashkohet gjithë qëndrimit të Presidentit Trump në politikën e tarifave (Ultimatumit për hyrjen në fuqi të tarifave të shpallura më 1 gusht të këtij viti) dhe në këtë rast, edhe qëndrimeve antiperëndimore, përfshirë edhe deklaratën përfundimtare të Samitit të Rio de Janerios, të mbajtur ditët e fundit.
“LUFTA E TARIFAVE” VAZHDON
“Lufta e tarifave”, e shpallur nga Presidenti Trump, që nga hyrja e tij në Shtëpinë e Bardhë vazhdon. Periudha e deritanishme është shoqëruar me negociata me të gjitha vendet e listës së shpallur nga Presidenti Trump dhe vetëm pak ditë më parë me shpalljen e fundit dhe me ultimatumin e dhënë prej tij, që më 1 gusht 2025, tarifat do të hynë në fuqi (në zbatim) e duket se kjo “luftë” po shkon drejt objektivit. Po cilat janë zhvillimet e fundit për politikën e tarifave të Presidentit Trump?
Së pari, Presidenti Trump shpall tarifat e reja prej 35% për importet nga Kanadaja dhe partnerët e tjerë tregtarë për të cilët ka në plan të vendosë tarifa të përgjithshme prej 15% ose 20% për shumicën e partnerëve të tjerë tregtarë. Në një letër që ka publikuar në platformën sociale “Truth Social”, Trump i drejtohet Kryeministrit të Kanadasë, Mark Carney, duke deklaruar se tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 gusht dhe mund të rriten nëse Kanadaja vendos masa hakmarrëse. “Pas vendosjes së tarifave nga Kanadaja, që nuk ka bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara, ne do të aplikojmë një tarifë prej 35% për produktet kanadeze që dërgohen në SHBA, pa marrë parasysh tarifat sektoriale”, – shkruan Trump në letrën e tij. Ai gjithashtu thekson se tarifat mund të rriten ose ulen në varësi të marrëdhënieve të SHBAve me Kanadanë. Se partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-ve, që nuk kanë marrë ende letra tregtare, ose nuk kanë arritur marrëveshje-korniza, do të mbajnë një tarifë të përgjithshme,20 ose 15 %. Presidenti amerikan theksoi se këto tarifa do të shtohen në ato ekzistuese për disa sektorë, përfshirë çelikun, aluminin dhe automjetet, që janë aktualisht me një tarifë prej 25%.
Së dyti, rreth 20 vende kanë marrë një letër të ngjashme që nga fillimi i javës, me 25% tarifa doganore të aplikuara për produktet nga aleatë si Japonia dhe Koreja e Jugut dhe deri në 40% për disa vende të Azisë Juglindore.
Së treti, Trump ka deklaruar gjithashtu në një intervistë për NBC edhe synimin për të vendosur tarifa të përgjithshme prej 15% ose 20% për shumicën e partnerëve tregtarë. “Do të themi thjesht që të gjitha vendet e mbetura, ato që nuk kanë marrë letrën për tarifat, do të paguajnë, qoftë 15% apo 20%”.
Së katërti, duket se negociatat me vendet e BE-së janë drejt arritjes së kompromisit. Për shumicën e mallrave, me disa përjashtime, Presidenti Trump ka përgatitur një letër për Brukselin pas së cilës do të ketë një vendim final. “Do të doja ta bëja sot”, (letrën) ka thënë Presidenti amerikan. “Po flas me BE-në, duhet t’ia dërgojmë gjatë orëve në vijim”.
Njoftimet për tarifat e reja doganore kanë shënuar zhvillimin më të fundit në një javë të trazuar, ku Trump ka ashpërsuar luftën tregtare globale, duke kërcënuar me tarifa mbi më shumë se 20 vende, përveç vendosjes së pritshme të një tarife 50% për bakrin dhe disa produkte farmaceutike. Presidenti ka përmendur mungesën e një reagimi të madh negativ nga tregjet financiare, pasi pikërisht të enjten, ditën e letrës për Kanadanë, aksionet amerikane mbyllën në nivelet më të larta historike. “Besoj se tarifat janë pritur shumë mirë. Tregu i aksioneve ka shënuar një rekord të ri sot”, – ka deklaruar Trump për NBC.
Së pesti, marrëveshja me Britaninë e Madhe është arritur si preferenciale, ndërsa negociatat me Kinën janë bërë publike herë pas here.
Së gjashti, por ka qenë Brazili, (vend anëtar i BRICS) i cili deri tani nuk ishte goditur nga taksa shtesë më të larta se 10%, ai që ka parë rritjen më të madhe të tarifave doganore të aplikuara për produktet e tij, me Presidentin amerikan që ka njoftuar një tarifë 50% në përgjigje të akuzave ndaj ish-presidentit brazilian Jair Bolsonaro, i akuzuar për përpjekje për grusht shteti pas humbjes ndaj Presidentit Lula dhe njëherësh, në kuadër të politikës tarifore të Presidentit Trump, erdhi dhe reagimi i fortë i tij ndaj vendeve që deklarohen në mbështetje të deklaratës së Samitit të 15 –të në Rio de Janerio, të vendeve të BRICS, duke deklaruar se ato do tarifohen me një taksë shtese 10%. Por çfarë ishte ky samit i radhës i BRICS dhe çfarë përmban deklarata përfundimtare e tij?
SAMITI I BRICS NË RIO DE JANERIO DHE DEKLARATA PËRFUNDIMTARE
Edhe pse dy presidentët e vendeve me kryesore të BRICS, Presidenti i Kinës, Xi Jinping (që nuk mori pjesë dhe sipas reporterëve për të mbajtur “distanca strategjike” konfuciane gur themeli i sjelljes së tij politike) dhe Presidenti Rus, Putin (për shkak të urdhër-arrestit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë (ICC) për krime lufte të dyshuara të kryera në Ukrainë) nuk morën pjesë në këtë samit që i zhvilloi punimet në Brazil, në atdheun e Karnavalit më të famshëm në botë, të dërguarit e tyre, Kryeministri Kinez Li Qiang dhe Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tentuan t’i jepnin tonin samitit për arritjen e një deklarate në fund të tij. Deklarata përfundimtare e samitit të BRICS, mbajtur më 6 dhe 7 korrik 2025 në Rio de Janeiro, përbën një dokument politik të ngarkuar me simbolikë dhe ambicie gjeopolitike, i cili shpreh përpjekjen kolektive të vendeve të grupit për të sfiduar arkitekturën ekzistuese të rendit ndërkombëtar dhe për të artikuluar një vizion alternativ për politikën globale. Në thelb, kjo deklaratë është një përzierje e kujdesshme ndërmjet retorikës diplomatike dhe sfidës së drejtpërdrejtë ndaj sistemit që mbështetet mbi dominimin e Perëndimit në ekonominë, politikën dhe sigurinë ndërkombëtare.
Deklarata është e ndërtuar rreth katër boshtesh themelorë:
1-Mbështetja për një multilateralizëm të reformuar.
2-Kritikë e hapur ndaj hegjemonisë ekonomike dhe sanksioneve të njëanshme.
3-Pozicionimi i matur përballë konflikteve ndërkombëtare.
4-Përpjekjet për të krijuar një rend alternativ të drejtësisë klimatike dhe financiare.
Në nivel retorik, deklarata thekson domosdoshmërinë e një bote të bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në respektin për sovranitetin dhe në zbatimin universal të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, kjo gjuhë nuk është neutrale: në të vërtetë, ajo përbën një kritikë të tërthortë ndaj Perëndimit dhe veçanërisht ndaj Shteteve të Bashkuara, të cilat BRICS i akuzon për përdorim të njëanshëm të sanksioneve ekonomike, ndërhyrje jashtë mandatit të OKBsë dhe mbështetje të padrejtë për aleatët e tyre strategjikë. Fjalitë që dënojnë “masat e njëanshme me efekt ekstraterritorial” nuk janë vetëm qëndrime ideologjike, por pjesë e një narrative më të gjerë që përpiqet të denoncojë asimetrinë e rregullave globale dhe të sfidojë dominimin e dollarit amerikan dhe të institucioneve të kontrolluara nga vendet perëndimore.
Një pjesë qendrore e dokumentit është kërkesa për reformë të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, FMN-së dhe Bankës Botërore. Për BRICS, këto institucione nuk reflektojnë më realitetet globale dhe janë të strukturuara në mënyrë që privilegjojnë një grusht vendesh, duke përjashtuar zërin dhe ndikimin e pjesës më të madhe të njerëzimit. Prandaj deklarata kërkon rishikimin e sistemit të kuotave dhe të drejtave të votës në këto organizata, duke theksuar se një rend ndërkombëtar i drejtë nuk mund të ndërtohet mbi trashëgiminë e Luftës së Dytë Botërore, por mbi dinamikat e tanishme të pushtetit dhe përfaqësimit. Në këtë frymë, BRICS propozon atë që konsideron si demokratizimin e qeverisjes globale si një projekt që nuk është thjesht i dobishëm, por i domosdoshëm për stabilitetin dhe paqen afatgjatë.
Gjithashtu, në mënyrë të kujdesshme, deklarata i adreson edhe konfliktet ndërkombëtare, por pa marrë pozicione të drejtpërdrejta kundër vendeve të veçanta. Ajo dënon sulmet ndaj Iranit dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të veprimeve ushtarake në Gaza, duke mbështetur një zgjidhje me dy shtete për çështjen palestineze dhe duke theksuar rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Megjithatë, në asnjë moment nuk përmenden me emër aktorët e këtyre konflikteve, si Izraeli apo Shtetet e Bashkuara, çka tregon për një ekuilibër të ndjeshëm brenda BRICS, ku interesat dhe orientimet strategjike të anëtarëve shpesh janë të ndryshme. Për shembull, ndërsa Irani apo Egjipti mund të kërkonin një gjuhë më të ashpër, vende si India apo Brazili, të cilat ruajnë marrëdhënie strategjike me Perëndimin, kanë kërkuar formulime më të moderuara. Kjo e bën deklaratën një produkt diplomatik të negociuar me kujdes, që synon ruajtjen e unitetit brenda grupit duke artikuluar gjithsesi qëndrime të qarta dhe të pozicionuara kundër logjikës së ndërhyrjes së njëanshme dhe të standardeve të dyfishta në politikën ndërkombëtare.
Një nga pjesët më të artikuluara të deklaratës, si edhe herë të tjera, është zotimi për të rritur përdorimin e monedhave kombëtare në tregtinë dypalëshe dhe shumëpalëshe, një hap që BRICS e paraqet si strategji për të reduktuar varësinë nga dollari dhe për të ndërtuar një sistem financiar alternativ. Edhe pse pa propozime konkrete për krijimin e një monedhe të përbashkët, siç është përfolur më herët, kjo linjë retorike i shërben ndërtimit të një identiteti ekonomik të pavarur dhe kultivimit të një arkitekture paralele pagesash, huadhënieje dhe investimesh, që nuk kalon përmes rrjeteve të kontrolluara nga Perëndimi. Përdorimi i gjuhës si “pagese të sigurta, të përballueshme dhe të qëndrueshme” është një aluzion i drejtpërdrejtë për nevojën për të shkëputur transaksionet ndërkombëtare nga dominimi i sistemit SWIFT, i cili është përdorur më parë si instrument politik për përjashtimin e vendeve si Rusia apo Irani nga tregjet globale. Në këtë kuadër, ajo çka ra në sy në këtë deklaratë është nisma për krijimin e një fondi të ri ndërkombëtar për pyjet tropikale, i quajtur “Tropical Forests Forever Facility”, i cili do të mbështetet fillimisht nga Kina dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky propozim nuk është thjesht një gjest simbolik, por një përpjekje konkrete për të pozicionuar BRICS si një aktor të rëndësishëm në tranzicionin drejt drejtësisë klimatike, në një moment kur vendet e pasura janë kritikuar për premtime të pambajtura dhe mungesë të solidaritetit financiar me vendet e varfra. Në këtë mënyrë, BRICS përpiqet të fitojë legjitimitet moral dhe të paraqitet si një alternativë jo vetëm politike dhe ekonomike, por edhe etike në përballje me sfidat globale. Megjithëse deklarata përfundimtare përpiqet të projektojë një unitet strategjik dhe një vizion të përbashkët, tensionet e brendshme nuk janë të fshehta. Mungesa fizike e Presidentit kinez Xi Jinping dhe pjesëmarrja virtuale e Vladimir Putinit janë shenja të qarta të ndryshimeve të brendshme në prioritetet politike të disa prej anëtarëve më të fuqishëm të grupit. Po ashtu, hyrja e vendeve të reja si Indonezia, me orientime të ndryshme politike dhe interesa rajonale specifike, mund të çojë në një diversifikim të mëtejshëm të agjendës së BRICS, duke e bërë më të vështirë formulimin e pozicioneve të përbashkëta në të ardhmen. Ndërkohë, sfidat nga jashtë, përfshirë “goditja” e Presidentit Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj vendeve të BRICS në rast se ato ndjekin politika “antiamerikane”, e shtojnë edhe më shumë presionin mbi këtë bllok për të treguar kohezion dhe efikasitet. Në fund të fundit, deklarata përfundimtare e samitit të BRICS 2025 nuk është thjesht një akt burokratik diplomatik, por një dokument i pozicionimit strategjik të një bote në tranzicion. Ajo nuk përfaqëson ende një alternativë të plotë ndaj rendit liberal ndërkombëtar, por dëshmon qartë se lojtarët e rinj në skenën globale nuk janë më të kënaqur me rolin e spektatorëve. Përmes një gjuhe të kujdesshme, por të qëndrueshme, BRICS kërkon të rishkruajë rregullat e lojës dhe të ndërtojë një rrjet të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare që, sipas tyre, reflekton realitetin e shekullit XXI dhe jo kufizimet e trashëguara nga e kaluara.
Duket se që nga forumi i kaluar i BRICS, edhe në këtë samit, forumi ka përjetuar njëfarë pasigurie të brendshme edhe për shkak të disa vendeve të shtuara së fundmi si Arabia Saudite. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indonezia. Turqia ende mungon, por ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim.
Shkurtimisht, konkluzioni i shumicës së analistëve para dhe pas samitit është se Samiti i Brazilit ishte një samit i dobësuar nga mungesa e dy prej fuqive të saj të mëdha. Xi Jinping shkoi në Brazil vitin e kaluar për samitin e G20 dhe kjo është hera e parë që ai ka braktisur BRICS. Sipas shumë autorëve, mungesa e tij do të sugjeronte një lloj shpërndarjeje të objektivave fillestarë. Edhe pse nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Kineze u dha lajmi se Kina mbështet Brazilin në organizimin e Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike në Belem (COP30) më vonë këtë vit.
*Autori, ish-ministër i Financave