Përgatiti: Benita Zeneli
Janë bërë më shumë se 1 vit prej kur Kosova ka fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare që do ta mbahen në vitin 2030. Por, për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive që i bënë bashkë 26 shtete të botës ka frikë se mund të dështojë.
Andaj Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi thotë për të garantuar sukses ky vit duhet të jetë ai që do të përcaktojë rrjedhën e punëve.
“Ne i frikësohemi kohës dhe çdo minutë duhet ta kursejmë sepse sa më shumë që humbasim kohë, atëherë do të jetë edhe më i vështirë organizimi i Lojërave Mesdhetare. Ky është interes kombëtar dhe duhet të gjithë të bashkohemi kur janë në pyetje Lojërat Mesdhetare dhe të fokusohemi në organizimin e tyre”, tha Krasniqi.
Thirrje për të evituar çdo neglizhencë apo vonesë që do të rrezikonte mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë, ka bërë edhe ish-kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.
“Duke marrë parasysh rëndësinë që kanë organizimi i Lojërave Mesdhetare për imazhin e shtetit, të mos flasim për ne qe jemi nëpër federata, sa është e rëndësishme për sportistët tanë dhe jo vetëm për sportistët por edhe për trajnerët e administratorët, përvoja që fitohet këtu jam i bindur që askush nuk guxon dhe nuk e ka kurajën që të mos e kryejë punën dhe obligimin që e ka për t’u organizuar dhe ndërtuar gjithë infrastruktura në kohë për t’u mbajtur Lojërat Mesdhetare këtu në Kosovë”, tha Hasani.
Për organizmin e tyre, Kosova është zotuar se do të investojë 250 milionë euro derisa, Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare pritet të themelohet nga Komiteti Olimpik i Kosovës, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Detaje për themelimin e komitetit nuk dihen akoma, teksa sipas ligjit një gjë e tillë duhet të bëhet jo më shumë se 1 muaj nga miratimi në Kuvend.
“Nuk ka vonesa të mëdha, tani veçse është krijuar një grup, një organizim tre palësh në mënyrë që të organizohen Lojërat Mesdhetare, merr pjesë Komuna e Prishtinës, Komiteti Olimpik dhe Qeveria e Kosovës…Në bazë të ligjit pastaj jepen edhe disa përparësi dhe tejkalohen disa ligje të tjera sepse është ligj special për Lojërat Mesdhetare”, tha nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.
Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” por partia më e madhe opozitare, PDK e ka dërguar atë në Gjykatë Kushtetuese.