spot_imgspot_img
spot_img

“Lojëra për të na dëmtuar”: Avokati i Thaçit alarmon se Prokuroria i ‘fshehu’ disa prova të rëndësishme për dëshmitarët e parë

Akuza për taktizime, tentim-pengimi të mbrojtjes e lojëra në procesin gjyqësor, ka adresuar avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, në drejtim të Prokurorisë së Specializuar në Hagë.

Në një parashtresë urgjente të publikuar së fundmi në faqen e Gjykatës Speciale e cila mban datën 13 shtator, Misetiq ka bërë të ditur se Prokuroria e Hagës, ka mbajtur të fshehta dokumentacione të cilat me parimet bazë në drejtësi, e ka pasur obligim t’ia dorëzojë mbrojtjes së Thaçit.

Fjala është për dëshmitarët e parë të Thaçit, James Rubin dhe të tjerë, ku Prokuroria e Hagës, nuk ka dorëzuar disa dokumentacione me rëndësi për mbrojtjen, raporton gazeta Nacionale.

“Vendimet taktike të miratuara nga ZPS-ja në prag të çështjes së Mbrojtjes kanë pasoja. Pajtueshmëria me kuadrin e zbulimit të Dhomës së Specializuar është një aspekt integral i një gjykimi të drejtë. Shkeljet kanë shkaktuar dëm në përgatitjen e Mbrojtjes. Mbrojtja nuk duhet të detyrohet të ridrejtojë burimet drejt rigjykimit të shkeljeve të zbulimit të ZPS-së në këtë fazë të vonë të gjykimit. Lojërat e vazhdueshme të ZPS-së padyshim që do të nxisin kërkesat e Mbrojtjes për shtyrjen e procedurave dhe përjashtimin e provave, dhe do të rrezikojnë paraqitjen në kohë të çështjes së Mbrojtjes. Rregulli 110 autorizon një Trup Gjykues të marrë masa pas mosrespektimit të detyrimeve të zbulimit nga një palë. Si i tillë, Mbrojtja bën kërkesën e tanishme për urdhrat e përcaktuar më poshtë në mënyrë që të sigurohet që kjo të mos ndodhë përsëri”, thuhet në kërkesën e avokatit Misetiq, raporton Nacionale.

Por, cila është historia e këtij zhvillimi?

Prokuroria e Specializuar e Hagës, me Rregulloren për Procedura dhe Prova, e ka obligim t’ia paraqesë mbrojtjes të gjithë dokumentet relevante për dëshmitarët. Për këtë, mbrojtja e Thaçit në korrik kishte dorëzuar listën me 21 emra për dëshmitarë, duke kërkuar që Prokuroria t’ia ofrojë të gjitha informacionet që ka për këta persona, që synonte t’i ftonte mbrojtja e Thaçit.

Mes 4 korrikut e 11 shtatorit 2025, Prokuroria kishte zbuluar rreth 500 artikuj e dëshmi të përcaktuara, por një pjesë e tyre u dorëzuan krejtësisht në fund të afatit, kur avokatët e Thaçit veç kishin përfunduar me përgatitjen e dëshmitarëve të parë.

“Më 12 shtator 2025, Mbrojtja i kërkoi ZPS-së të konfirmonte se të gjitha materialet e zbuluara në përputhje me Rregullën 102(3) që lidhen me 1DW-001 dhe 1DW-003 kishin ardhur në posedim të ZPS-së vetëm që nga 1 shtatori 2025, duke kërkuar që “nëse ndonjë nga materialet ishte në posedim tuaj më herët se ajo datë, ne kërkojmë që ju të zbuloni (1) cilat, nëse ka, nga materialet ishin në posedim tuaj para 4 korrikut 2025; dhe (2) nëse ka ndonjë material që ka ardhur në posedim tuaj midis 4 korrikut 2025 dhe 1 shtatorit 2025”, thuhet në parashtresë.

Pra, Prokuroria e Hagës kishte pasur këto dokumente qysh më herët, dhe nu kia kishte dorëzuar mbrojtjes së Thaçit.

“Përgjigja e ZPS-së zbuloi se ka shkelur detyrimin e saj sipas Rregullës 102(3) për të zbuluar dokumente relevante materiale “pa vonesë”. ZPS-ja fillimisht këmbënguli se 34 nga 36 artikujt që lidheshin me 1DW-001 dhe 1DW-003 ishin “të disponueshme publikisht” dhe dy “riprodhonin informacion të disponueshëm publikisht”. ZPS-ja më pas konfirmoi se 24 nga artikujt e disponueshëm publikisht ishin marrë që nga 1 shtatori 2025, dhe 10 të tjerët ishin marrë midis 19 dhe 26 gushtit 2025. Dy artikujt që riprodhojnë informacion të disponueshëm publikisht janë ekstrakte të raporteve nga artikuj të tjerë që ishin në posedim të ZPS-së para 4 korrikut 2025, por ekstraktet përkatëse u regjistruan më pas më 26 gusht 2025”, thuhet më tutje.

Mbrojtja e Thaçit ka alarmuar se kjo ka qenë taktikë e Prokurorisë që të fitojë avantazh në gjykim.

“ZPS-ja mbajti zbulimin me qëllim fitimin e një avantazhi në gjyq. Për shembull, ZPS-ja e pyeti gjerësisht 1DW-001 në lidhje me angazhimet e tij me Kosovën dhe përfaqësuesit e qeverisë kosovare që nga viti 1999. 12 Këto lidhje dhe puna e 1DW-001 përshkruhen në disa nga dokumentet e zbuluara në Paketën e Zbulimit 1773, duke përfshirë SPOE00393245-00393267, SPOE40010609-40010632, SPOE40010633-40010643, SPOE40010668-40010708, SPOE40010718-40010719. Të gjitha këto, përveç njërit, ishin në posedim të ZPS-së më 19 gusht 2025; Tjetra u mor më 26 gusht 2025. Të gjitha u përdorën si bazë për pyetjen 1DW-001 më 2 shtator 2025. Asnjëra nuk u zbulua deri më 11 shtator 2025”, thuhet në këtë ankesë.

“Nuk mund të ketë bazë që ZPS-ja të arrijë në përfundimin se këto materiale ishin të rëndësishme për marrjen në pyetje të 1DW-001 dhe i nënshtroheshin detyrimeve të saj sipas Rregullës 102(3), megjithatë i mbajti ato të fshehura nga Mbrojtja për disa javë derisa i zbuloi përfundimisht vetëm disa ditë para dëshmisë së 1DW-001 dhe vetëm pasi Mbrojtja zbuloi urdhrin e saj të dëshmitarëve për javën e parë të çështjes së Mbrojtjes. Mbrojtja kishte përfunduar tashmë seancën përgatitore të 1DW-003 ditë më parë dhe tani nuk ka aftësi praktike për t’i përdorur ato”, përfundon ankesa.

Pra, fjala është për prova të rëndësishme lidhur me dëshmitarin James Rubin.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA