Pesë ditë pasi kryeministri Albin Kurti mundësoi lehtësirat përmes marrëveshjes së arritur me Bashkimin Europian për zbatimin e ligjeve që prekin të huajt dhe automjetet, Lista Srpska ka reaguar për herë të parë lidhur me këtë zhvillim.
Kjo parti u ka bërë thirrje mbi 10 mijë serbëve në Kosovë, të cilët nuk posedojnë dokumente, që të fillojnë aplikimin për pajisje me dokumente të Kosovës, duke shpjeguar edhe procedurat përkatëse.
“Që ky proces të ketë sukses, është e nevojshme që kjo zgjidhje të përdoret nga qytetarët tanë, si ata që u janë refuzuar dokumentet, ashtu edhe ata që nuk kanë marrë kurrë përgjigje në kërkesën e tyre për lëshimin e dokumenteve, si dhe ata që, të dekurajuar nga situata, nuk kanë aplikuar kurrë për dokumente, si të rritur ashtu edhe të mitur. Kjo bëhet për të treguar se jemi populli ynë, se ekzistojmë dhe se kërkojmë respekt për të drejtat tona, por edhe që të mund të qëndrojmë në shtëpitë tona. Ne e dimë shumë mirë qëndrimin e popullit tonë ndaj këtyre dokumenteve, por në këtë moment kjo zgjidhje ka penguar që 10,000 njerëz tanë të mbeten jashtë Kosovës, të bllokojnë punën e institucioneve shëndetësore dhe arsimore dhe të lënë komunat dhe fshatrat tona pa serbë pas 27 vitesh luftë të guximshme nga të gjithë qytetarët tanë”, thuhet në reagim.
Duke folur për marrëveshjen e arritur nga kryeministri Albin Kurti me Bashkimin Europian, Lista Srpska theksoi se ajo u realizua edhe me ndihmën e “udhëheqjes sonë shtetërore”, duke iu referuar Beogradit.
“Të dashur qytetarë, pas një beteje të vështirë diplomatike, me ndihmën e udhëheqjes sonë shtetërore, arritëm të sigurohemi që të mos ketë deportim të bashkatdhetarëve tanë për shkak të mungesës së dokumentacionit, që të mos ketë ndarje të nënave, baballarëve dhe fëmijëve, që të mos ketë ndalim hyrjeje për mjekë, profesorë dhe studentë. Një situatë e tillë do të rrezikonte punën e Universitetit të Prishtinës me selinë e tij të përkohshme në Mitrovicë, si dhe funksionimin e institucioneve tona shëndetësore dhe arsimore. Kemi arritur, siç do të thoshte Patriarku ynë, të ruajmë popullin e Kosovës”, thuhet më tej.
Lista Srpska ka sqaruar gjithashtu procedurat për pajisjen me dokumente:
Personat që punojnë në institucionet shëndetësore dhe arsimore në të gjitha nivelet dhe që nuk jetojnë në Kosovë, do të dorëzojnë të dhënat përmes institucioneve të tyre dhe do të përfitojnë të drejtën e qëndrimit për 12 muaj, me mundësi vazhdimi. E njëjta procedurë vlen edhe për studentët që nuk jetojnë në Kosovë, por studiojnë në Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë.
Ndërkohë, qytetarët që jetojnë në Kosovë por nuk posedojnë dokumente të Kosovës, do të mund të aplikojnë duke filluar nga e hëna, duke përdorur dokumente serbe si karta identiteti, certifikata lindjeje, martese dhe vdekjeje. Në këtë mënyrë, sipas tyre, sigurohet mbrojtja e tyre, e drejta për të jetuar në këto zona, si dhe e drejta mbi pronat familjare.
Kryetarët e komunave me shumicë serbe, së bashku me ekipet e tyre, do të angazhohen për të siguruar që procesi të zhvillohet pa probleme dhe që të gjithë qytetarët të mund të realizojnë të drejtat e tyre deri më 16 qershor.
Në fund, Lista Srpska bëri të ditur se po vazhdon angazhimin për të gjetur një zgjidhje edhe për çështjen e automjeteve, duke shprehur besimin se me mbështetjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, së shpejti do të arrihet një marrëveshje në dobi të qytetarëve.






