Deputeti Igor Simiq, nga Lista Serbe, tha se, sipas kësaj partie, Kuvendi nuk është konstituuar as pas zgjedhjes së Nenad Rashiqit si nënkryetar.
“Edhe një herë u dëshmua se drejtësia dhe e drejta nuk ekzistojnë. Sot nuk është përfunduar konstituimi i seancës së Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë”, tha ai, i shoqëruar në hollin e Kuvendit nga deputetët e tjerë të Listës Serbe.
Ai citoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, siç lexoi ai, “fituesi i zgjedhjeve nga komuniteti serb duhet të ketë të drejtën ekskluzive për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit për komunitetin serb”.
“Është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja”, tha Simiq.
Simiq tha se Rashiq “është zgjedhur me forcë si deputet, e tani edhe si nënkryetar.
“E kanë zgjedhur një njeri pa thënë se ai ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit”, tha Simiq, duke shtuar Lista Serbe do të ankohet ndaj këtij vendimi të Kuvendit.
Në vend të nëntë deputetëve të propozuar nga Lista Serbe, nënkryetar u zgjodh deputeti Nenad Rashiq, nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Rashiq ka qenë ministër në qeverinë e deritanishmë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti./REL





