Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, është liruar në këmbimin masiv të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit.
Ajo ishte dënuar nga një gjykatë ruse në korrik me gjashtë vjet e gjysmë burgim.
“Mirëpresim lajmin për lirimin e menjëhershëm dhe i jemi mirënjohës Qeverisë amerikane dhe të gjithë atyre që punuan pa ndalur për përfundimin e trajtimit të padrejtë të saj nga Rusia”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.
“Alsuja u shënjestrua sepse është gazetare amerikane, e cila thjesht po tentonte të ndihmonte pjesëtarët e familjes së saj që janë brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë gabim dhe sigurisht nuk e meritoi trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga më të dashurit e saj dhe kolegët”, shtoi ai.
Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera më 1 gusht kanë nisur një këmbim masiv të të burgosurve, në atë që pritet të jetë këmbimi më i madh i këtij lloji që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Bloomberg, Sky News, CNN, dhe media të tjera perëndimore, duke cituar burime, raportuan se këmbimi po ndodh më 1 gusht, pasi nuk dihej vendndodhja e disa të burgosurve politikë të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, duke nxitur spekulime se ata po bëheshin gati për këmbim.
Ende nuk është e qartë se kush nga të burgosurit është përfshirë në këmbim.
Ky lajm vjen pasi nëntë aktivistë rusë dhe një shtetas amerikan janë zhvendosur papritur nga burgjet ruse ditët e fundit, si dhe rusë të tjerë të mbajtur në burgjet e SHBA janë zhdukur nga bazat e të dhënave të burgjeve, duke nxitur spekulimet se një shkëmbim i madh i të burgosurve që përfshin Rusinë, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera evropiane, mund të jenë në zhvillim e sipër.
Asnjë zyrtar qeveritar në Uashington, Moskë apo gjetkë nuk ka komentuar mundësinë e një shkëmbimi; megjithatë, analistët më 1 gusht vunë në dukje shenjat që sugjeronin se atë që mund të jetë më i madhi i këtij lloji që nga Lufta e Ftohtë.
“Unë ende nuk kam asnjë koment për këtë temë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 1 gusht, kur u pyet nga gazetarët lidhur me këtë.
Avokatët mbrojtës të disa personave të profilit të lartë që mbahen në burgjet ruse kanë thënë se vendndodhja e klientëve të tyre ishte e panjohur, një situatë që shpesh lind kur të burgosurit zhvendosen. Në mesin e tyre janë aktivistë të opozitës, përfshirë Vladimir Kara-Murza dhe Ilya Yashin e të tjerë.
Olga Karlova, avokate e ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, tha më 31 korrik se ajo nuk e di se ku është klienti i saj dhe se autoritetet në burgun në rajonin Mordovia ku ai ishte i burgosur, i kanë injoruar kërkesat për të konfirmuar nëse ai ndodhet në burg.
Whelan, i cili po vuan një dënim me burgim prej 16 vjetësh për spiunazh që ai dhe Uashingtoni e mohojnë, është një nga më se 10 shtetasit amerikanë që aktualisht mbahen nëpër burgjet ruse, të akuzuar ose të dënuar për akuza që variojnë nga posedimi i drogës dhe vjedhja e deri te tradhtia dhe spiunazhi.
Në shumë raste, akuzat kundër amerikanëve, të cilat përfshijnë reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe redaktoren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, janë etiketuar nga punëdhënësit e tyre ose nga Qeveria amerikane si të sajuara ose të motivuara politikisht.
Disa nga dënimet tejkalojnë atë që ekspertët ligjorë thonë se do të ishte normale.
“Shpresojmë që të gjithë të burgosurit politikë të mbajtur padrejtësisht, veçanërisht gazetarët si Alsu dhe Evan, të kthehen te të dashurit e tyre. Gazetaria nuk është krim”, tha më 1 gusht presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.
“Tre gazetarëve të tjerë të Radios Evropa e Lirë padrejtësisht pas hekurave – dy në Bjellorusi dhe një në Krimenë e kontrolluar nga Rusia – u themi se nuk jeni të harruar. Radio Evropa e Lirë do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar lirimin tuaj dhe për t’ju ribashkuar me familjet tuaja”, theksoi ai.
Vetëm disa orë pasi u zbulua zhdukja e Whelanit, avokati mbrojtës i Kara-Murzait, një shtetas i dyfishtë ruso-britanik, tha se atij nuk iu lejua të hynte në burgun e Omskut për të parë klientin e tij, i cili vitin e kaluar u dënua me 25 vjet burgim për tradhti dhe akuza të tjera.
Më 1 gusht, një grup avokatësh rusë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut të njohur si Pervy Otdel postuan një mesazh në Telegram duke vënë në dukje gjurmën e fluturimit të një aeroplani Antonov që më parë ishte përfshirë në shkëmbime të tjera të burgosurish.
“Një aeroplan An-148, i cili dyshohet se ishte përdorur për shkëmbimin e mëparshëm të të burgosurve politikë, u ngrit nga Kaliningradi në Moskë më 1 gusht”, tha Pervy Otdel.
Avioni, me numrin RA-61727, u nis më pas për në Moskë, tha grupi, gjë që “mund të tregojë se shkëmbimi i të burgosurve politikë ka ndodhur në kufirin me Poloninë”.
Të dhënat nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, konfirmuan lëvizjet e avionit, ndërsa media ruse, Agenstvo, raportoi se disa avionë specialë të Qeverisë ruse ditët e fundit kanë udhëtuar drejt dhe nga rajonet ku gjenden burgjet në të cilat mbahen disidentët.
Ndërkohë, katër rusë të akuzuar ose burgosur në Shtetet e Bashkuara janë zhdukur nga një bazë të dhënash e të burgosurve që operohet nga Byroja Federale e Burgjeve të SHBA.
Në mesin e këtyre katër të burgosurve është Vladislav Klyushin, një sipërmarrës TI i lidhur me Kremlinin që vuan një dënim shumëvjeçar për akuza për tregti të brendshme, dhe Aleksandr Vinnik, i cili kohët e fundit u deklarua fajtor për akuzat për pastrim parash dhe ka qenë i lirë në pritje të dënimit.
Shkëmbimi më i madh i të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë ndodhi në vitin 2010 dhe përfshinte gjithsej 14 persona.
Në atë shkëmbim, Shtetet e Bashkuara liruan 10 rusë, përfshirë edhe Anna Chapman.
Sergei Skripal, një oficer i inteligjencës ushtarake ruse i dënuar për spiunazh për Britaninë, ishte në mesin e katër personave të liruar nga Moska. /REL