Pas kërkesës së klubeve që do të përballen në finalen e Kupës së Kosovës, respektivisht të Gjilanit dhe Prishtinës, janë liruar çmimet e biletave për tifozët.
Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka vendosur që t’i lirojë çmimet e biletave për finalen e Kupës së Kosovës mes Gjilanit dhe Prishtinës, raporton KosovaPress.
Çmimi i biletave në tribunën perëndimore do të jetë pesë euro, kurse në tribunë lindore tri euro e në atë jugore e veriore nga dy euro.
Shitja e biletave do të fillojë më 29 maj, dhe do të bëhet përmes sistemit online. Tifozët e Gjilanit, “Skifterat” do të vendosen në tribunën veriore, derisa “Plisat” e Prishtinës, do të vendosen në tribunën jugore.
Për të dyja grupet e tifozëve, FFK do t’i ndajë nga 200 bileta falas.
Finalja mes Gjilanit dhe Prishtinës do të zhvillohet më 5 qershor me fillim nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.