KF Liria ka siguruar pjesëmarrjen në “play-off”, përkatësisht barazhin për inkuadrim në elitën e futbollit kosovar, pasi mposhti bindshëm në udhëtim KF Dinamo Ferizaj me rezultat 1:5.
Skuadra e drejtuar nga Ismet Munishi zhvilloi një paraqitje të jashtëzakonshme, duke dominuar takimin nga fillimi deri në fund.
Liria kaloi në epërsi falë golit të Dijar Nikqi, ndërsa për golin e dytë u përkujdes qendërmbrojtësi Muhamed Useini.
Më pas, Albion Kurtaj realizoi një gol fantastik për rezultatin 0:3.
Nikqi u rikthye sërish në skenë duke realizuar edhe golin e katërt për prizrenasit, ndërsa goditjen finale e dha Vigan Ademi.
Golin e vetëm për vendasit e realizoi kapiteni Enhar Cakolli, i cili shënoi pas penalltisë së humbur nga Sokol Kiqina.
Me këtë fitore, Liria e përfundon kampionatin e Ligës së Parë në pozitën e tretë dhe në fazën e barazhit do të përballet pikërisht me KF Dinamo Ferizaj për një vend në finalen e “play-off”-it.
Fituesi i këtij dueli më pas do të luajë ndaj skuadrës që e përfundon Superligën e Kosovës në vendin e tetë, për pozitën e fundit në elitë për edicionin 2026/27.





