Në dyvjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kujtuar me dhimbje dhe krenari sakrificën e tij në mbrojtje të vendit.
“Sot përkujtojmë me dhimbje dhe krenari heroin më të ri të Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë. Rënia e tij heroike është dëshmi e përkushtimit të pakompromis ndaj detyrës, ndaj atdheut dhe ndaj paqes së fituar me shumë mund e sakrificë”, ka shkruar Limaj në Facebook.
Ai theksoi se vepra dhe sakrifica e Bunjakut do të mbesin përgjithmonë në kujtesën e popullit.
“Lavdi e përjetshme emrit, veprës dhe kujtimit të Heroit, Afrim Bunjaku”, përfundoi Limaj.