Ligji i ri kërkon dorëheqje, a kishte të drejtë opozita dhe si kishte vepruar Thaçi në vitin 2014?

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas votimit të opozitës kundër raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve si dhe abstenimit të Listës Serbe.

Arsyetimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ishte se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive para se të bëjnë betimin si deputetë, ndonëse një dokument i publikuar sot, tregon dorëheqjen e Kurtit dhe kabinetit të tij qeveritar.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se “nuk do të lejohet që legjislatura e re të nisë me shkelje të Kushtetutës”, duke akuzuar Vetëvendosjen për tentim të uzurpimit institucional.

“Zoti Kurti le të japë dorëheqje, është shumë e thjeshtë. Një letër mjafton që të lë funksionin e kryeministrit dhe të betohet si deputet, ashtu siç e kërkon ligji,” deklaroi Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kritikoi ashpër partinë fituese, duke e akuzuar për veprim politik jokushtetues që po pengon formimin e institucioneve.

Ai tha se deputetët e Vetëvendosjes që ende ushtrojnë funksione në ekzekutiv nuk mund të jenë njëkohësisht edhe deputetë, duke e cilësuar këtë si shkelje të qartë kushtetuese.

“Në demokracinë parlamentare, ku partia fituese nuk respekton rregullin bazë kushtetues, që thotë se një i zgjedhur s’mund të jetë edhe kryeministër apo ministër, edhe deputet i Kuvendit të Kosovës… është shndërrim jokushtetues i cili bëhet si pjesë e një loje politike për të zvarritur sa më shumë formimin e institucioneve”, tha Abdixhiku.

Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në facebook, tha se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ligji nuk lejon mbajtjen e postit të kryeministrit apo të ministrit “dhe të betohesh si deputet”.

“Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet. Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta”, ka shkraur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Por, dokumente zyrtare të siguruara nga televizioni ATV hedhin dritë mbi një praktikë të mëhershme institucionale, e cila zbatohej para miratimit të Ligjit për Qeverinë në vitin 2022. Në vitin 2014, ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte ndjekur një qasje të ndryshme nga ajo që po kërkohet sot.

Më 17 korrik 2014, Thaçi bëri betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës, duke kaluar formalisht në funksionin legjislativ. Megjithatë, në atë kohë, ai vazhdoi të ushtrojë funksionin e tij si kryeministër deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

Katër muaj pas betimit si deputet, konkretisht më 19 nëntor 2014, Thaçi nënshkroi një vendim zyrtar në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës. Vendimi Nr. 01/205 flet për miratimin e ekstrakteve të procesverbaleve nga mbledhjet e qeverisë (nr. 196–201), duke konfirmuar se ai ka vazhduar ushtrimin e funksioneve qeveritare ndonëse kishte kaluar në mandatin legjislativ.

Në vitin 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin Nr. 08/L-117 për Qeverinë, i cili rregullon në mënyrë më të qartë funksionimin e ekzekutivit dhe raportet e tij me Kuvendin. Ky ligj parashikon që, nëse një anëtar i Qeverisë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve (Neni 26, paragrafi 1).

Duke u bazuar në këtë dispozitë ligjore, partitë opozitare votuan kundër verifikimit të mandateve të deputetëve, me arsyetimin se kryeministri Kurti dhe kabineti i tij nuk kishin dhënë dorëheqje.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës sot ka lëshuar një dokument zyrtar, në të cilin paraqitet dorëheqja e Kurtit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, e cila rezulton të jetë e pranuar nga KQZ-ja me datë 27 mars 2025, pra para certifikimit të rezultateve, ashtu siç kërkohet me ligj.

Kujtojmë se Kuvendi, ditën e sotme ka ndërprerë seancën dhe ka paralajmëruar se do ta njoftojë Presidenten për situatën e krijuar.

Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, i tha ATV-së se deri më tani nuk është pranuar asnjë letër zyrtare nga Kuvendi.

Në përputhje me nenin 26 të Ligjit për Qeverinë, dorëheqja e Kryeministrit dhe ministrave të tij para certifikimit të rezultateve është e vlefshme nga aspekti ligjor. Tani mbetet në dorën e institucioneve që ta zbatojnë këtë dispozitë në përputhje me afatet kushtetuese. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA