Një person është arrestuar në Klinë të hënën paradite, pasi dyshohet se ka lënduar një zyrtar policor gjatë tentativës për t’iu shmangur një ndalese të autoriteteve.
Incidenti ka ndodhur rreth orës 11:40, kur i dyshuari ishte ndaluar nga një patrullë policore gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas raportit të Policisë, pasi iu komunikua se duhej t’i nënshtrohej kontrollit, ai me vrull ka nisur automjetin për t’u larguar me forcë nga vendi i ngjarjes.
Gjatë këtij manovrimi, një zyrtar policor ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar menjëherë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Pas një reagimi të shpejtë, njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë dhe ta arrestojnë të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave fillestare, me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.