Grupi LEGO ka njoftuar një bashkëpunim me Muzeun Belvedere në Vjenë për të sjellë një version të veçantë të kryeveprës “The Kiss” (1907–1908) të piktorit austriak Gustav Klimt.
Seti i ri përbëhet nga 4 mijë pjesë, duke u bërë modeli më i madh i frymëzuar nga një pikturë që LEGO ka prodhuar ndonjëherë. Ai do të dalë në shitje më 1 gusht, me një çmim prej 299.99 dollarësh.
Ndryshe nga piktura origjinale, versioni LEGO është tredimensional. Pjesët ndërtohen në shtresa, duke krijuar thellësi dhe teksturë që i japin veprës një pamje më dinamike. Përveç udhëzimeve tradicionale, ndërtuesit do të kenë në dispozicion edhe udhëzime interaktive 3D përmes aplikacionit LEGO Builder.
Për realizimin e setit, kuratorja e artit të shekujve XIX dhe XX në Muzeun Belvedere, Stephanie Auer, bashkëpunoi ngushtë me dizajnerin e modeleve LEGO, Milan Madge, për të ruajtur sa më besnikërisht stilin karakteristik të Klimtit, teksturat e pasura, ornamentet dhe paletën e artë të ngjyrave që e bëjnë veprën një ikonë të modernizmit austriak dhe lëvizjes Vienna Secession.
“Përshtatja e The Kiss në një set LEGO ishte një përvojë unike. Diskutuam gjatë për simbolikën, ornamentet dhe teknikat artistike të Gustav Klimtit, si dhe mënyrën se si ato mund të përktheheshin në tulla LEGO, duke qëndruar besnikë frymës së veprës origjinale”, tha Stephanie Auer.
Edhe Milan Madge e cilësoi projektin si një sfidë të veçantë krijuese, duke theksuar se përdorimi i elementeve të arta dhe pjesëve të dekoruara posaçërisht bëri të mundur rikrijimin e nuancave dhe teksturave karakteristike të pikturës.
Modeli i përfunduar ka përmasa 60 x 54 centimetra, është rreth 4 centimetra i thellë dhe mund të vendoset në mur falë një sistemi të integruar për varjen e tij.
Ky është bashkëpunimi më i fundit i LEGO-s me muze të njohur botërorë. Më parë kompania ka prezantuar edhe versione të frymëzuara nga vepra të Claude Monet, Vincent van Gogh, Leonardo da Vinci, Robert Indiana dhe Katsushika Hokusai, por seti i “The Kiss” konsiderohet më ambiciozi deri më tani.





