Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar 27-vjetorin e Masakrës së Pastaselit, duke e cilësuar atë si një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në një postim në Facebook, Latifi rikujtoi se më 31 mars 1999, në fshatin Pastasel u vranë 106 civilë të paarmatosur, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar.
“Në ditën e fundit të marsit të përgjakur të vitit 1999, ndodhi një prej krimeve më mizore nga kriminelët serbë në fshatin Pastasel të Rahovecit, ku u vranë 106 fëmijë, gra, pleq e burra të paarmatosur”, ka shkruar Latifi.
Ai theksoi se në këtë fshat kishin gjetur strehim edhe banorë nga zona të tjera përreth, të cilët po përpiqeshin t’i shpëtonin dhunës së luftës.
“Banorë të Pastaselit, por edhe të fshatrave përreth, kishin gjetur vendstrehim në fshat për të shpëtuar veten dhe familjet e tyre nga krimet gjenocidiale serbe”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Rahovecit nënvizoi se kjo ngjarje mbetet e paharrueshme dhe se kërkimi i drejtësisë për viktimat është obligim i vazhdueshëm institucional dhe shoqëror.
“Ajo ditë e përgjakshme do të mbetet e pashlyer në kujtesën tonë. Drejtësia dhe dënimi i krimeve të 31 marsit 1999 do të jetë qëllimi ynë kryesor deri në realizim”, ka shtuar Latifi.
Ai e ka përmbyllur mesazhin me nderime për të gjithë të rënët gjatë luftës në Kosovë.
“Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve të luftës”, ka përfunduar Latifi.






