Kryetari i Komunë së Rahovecit Smajl Latifi ka kujtuar rënien e 49 martirëve në Brestoc.
Latifi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se lufta jonë për liri nuk ka pushuar asnjëherë, sepse pushtuesit e kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe secili ka qenë më i egër se tjetri.
Postimi i tij i plotë:
Në Brestoc, në shënimin e 27-vjetorit të përjetësimit, kujtuam 49 martirët e vrarë nga pushtuesi serb.
Së bashku me bashkëpunëtorë, familjarë, bashkëluftëtarë e qytetarë, nderuam 49 martirët në fshatin Brestoc, të vrarë në vitin 1999 nga pushtuesi serb, 5 dëshmorët e kombit, si dhe 6 që ende janë të pagjetur.
Lufta jonë për liri nuk ka pushuar asnjëherë, sepse pushtuesit e kanë zëvendësuar njëri-tjetrin dhe secili ka qenë më i egër se tjetri.
Këtë egërsi e pagoi shtrenjtë edhe Brestoci, fshat që ka numër të madh të të martirizuarve, por nga ky fshat kanë dalë edhe shumë luftëtarë e veprimtarë, të cilët e kanë nderuar emrin e tyre dhe të vendlindjes. Po ashtu, në fushë të nderit kanë rënë 5 dëshmorë, lavdia e të cilëve qëndron si fllad pranveror mbi këtë vend. Lavdi 5 dëshmorëve, 49 martirëve të Brestocit, në mesin e të cilëve edhe 6 personave të pagjetur.






