Samsung Electronics zbuloi së fundmi modelin Galaxy S24. Kjo seri udhëheq rrugën drejt një epoke të re që do të ndryshojë përgjithmonë mënyrën se si pajisjet celulare fuqizojnë përdoruesit.
Inteligjenca artificiale përforcon pothuajse çdo përvojë në serinë Galaxy S24, nga mundësimi i komunikimit pa pengesa me përkthime inteligjente të tekstit dhe thirrjeve, deri te maksimizimi i lirisë krijuese.
Njohësi i teknologjisë, Drilon Jaha, në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin A LIVE në ATV, tha se ajo që është tepër me rëndësi të Samsungu, por edhe kompanitë e tjera, është fakti se janë duke e shtyrë agjendën e Inteligjencës Artificiale.
Ai tha se sa i përket thjeshtëzimit të përdorimit të Inteligjencës Artificiale, Samsung tani është një hap para Apple.
“Samsungu është një hap përpara Apple në thjeshtëzimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, duke e parë këtu lehtësimin e përdorimit të pajisjes. Çka është Inteligjenca Artificiale në telefona, është se në vend që ne me pasë nevojë me e kuptu gjuhën e telefonit, telefoni është duke e kuptu gjuhën tonë njerëzore edhe ky komunikim ka me u zhvillu deri në atë nivel sa që kemi me e pasë shumë të lehtë me komuniku edhe me pajisje të teknologjisë, sikurse një robot, një kompjuter, një telefon e kështu me radhë”, tha Jaha. /atvlive.tv