Mëngjesi i sotëm në NBA solli emocione të forta nga ndeshjet e raundit të parë të Play-Off-it, ku vetëm Los Angeles Lakers arritën të thellojnë epërsinë në seri.
Të udhëhequr nga i përjetshmi LeBron James, i cili realizoi 28 pikë, tetë kërcime dhe shtatë asistime, Lakers triumfuan 101:94 ndaj Houston Rockets, duke kaluar në avantazh 2:0. Pavarësisht mungesave të rëndësishme, skuadra nga Los Angelos tregoi karakter dhe forcë kolektive. Marcus Smart kontribuoi me 25 pikë dhe shtatë asistime, ndërsa Luke Kennard shtoi 23 pikë vendimtare. Nga ana tjetër, rikthimi i Kevin Durant nuk mjaftoi për Rockets, edhe pse ai realizoi 23 pikë.
Në Boston erdhi surpriza e mbrëmjes, ku Boston Celtics u mposhtën 111:97 nga Philadelphia 76ers, duke barazuar serinë në 1:1. VJ Edgecombe shkëlqeu me 30 pikë dhe 10 kërcime, ndërsa Tyrese Maxey shtoi 29 pikë dhe nëntë asistime. Me këtë paraqitje, Edgecombe hyri në histori si fillestari i parë që arrin këto statistika në Play-Off që nga Tim Duncan në vitin 1998.
Drama më e madhe u zhvillua në përballjen mes San Antonio Spurs dhe Portland Trail Blazers, ku këta të fundit triumfuan ngushtë 106:103, duke barazuar gjithashtu serinë në 1:1. Megjithatë, lajmi më shqetësues ishte dëmtimi i yllit të Spurs, Victor Wembanyama, i cili pësoi tronditje pasi goditi kokën në parket.
Seritë mbeten të hapura dhe pritet që ndeshjet në vijim të sjellin edhe më shumë spektakël dhe tension në garën për titull.






