14 C
Pristina
E hënë, 23 Shtator, 2024

Kuvendi shkarkon Bordin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale

Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës plenare ka shkarkuar kryesuesen dhe tre anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Për shkarkimin e këtij bordi nuk janë pajtuar edhe partitë opozitare, të cilat nuk kanë marrë pjesë në votim. Deputetë të opozitës kanë deklaruar se ky bord ishte emëruar nga vet pushteti, por të njëjtit sot po shkarkohen jashtëligjshëm. Shumica parlamentare me votim për secilin veç e veç ka shkarkuar kryesuesen e bordit, Selvete Grajqevci Pllana, Gani Kastrati anëtar, Gani Maliqin anëtar dhe po ashtu Rrezarta Pushkolli Makollin e cila ka qenë anëtare e bordit.

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti rekomandoi që Kuvendi të shkarkojë anëtarët e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja tha se ka kanë konstatuar që në vazhdimësi, janë licencuar kompani që nuk kanë kryer detyrimet ndaj KPMM-së dhe po ashtu janë proceduar penalisht për shkelje të ligjit.

“Komisioni ka nxjerrë rekomandim që të shkarkohet anëtari i bordit Gani Maliqi, për arsye sepse është konstatuar që gjatë ushtrimit të detyrës ka pasur shkelje të neneve 59 dhe 60 dhe 62 të Ligjit për Komisione të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe qëllimisht apo nga pakujdesia ka shkelur dispozitat e nenit 60 të Ligjit për Komisione të Pavarura për Miniera dhe Minerale. Me datën 25.08.2021, auditori i brendshëm i KPMM-së ka konstatuar është shkelur udhëzimi administrativ 01 2011 për rregullt dhe procedurat e përllogaritjes së rendës minerale në rastin e kompanisë “Ferronikeli”, tha Muja.

Edhe për anëtarët tjerë të këtij bordi, Muja theksoi se rekomandohet shkarkimi, meqë siç tha ai, kanë shkelur ligjin e KPMM-së.

“Rekomandohet të shkarkohet nga bordi i KPMM-së, për arsye se ka bërë shkelje të nenit 59, 60 dhe 62 të Ligjit të KPMM-së. Dhe qëllimisht apo nga pakujdesia ka shkelur dispozitat e nenit 60 të KPMM-së duke dëmtuar buxhetin e Kosovës. Rrezarta Pushkolli ngjashëm rekomandohet që të shkarkohet nga bordi i KPMM-së, për shkak se ka bërë shkelje të nenit 59, 60 dhe 62 të Ligjit të KPMM-së… Selvete Grajqevci po ashtu rekomandohet që të shkarkohet nga bordi i KPMM-së për shkak se ka bërë shkelje të nenit 59 të Ligjit të KPMM-së dhe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës dhe ka dështuar të zbatojë pikën 1.4 të nenit 60, pra mandati nuk është ushtruar në përputhje me ligjet dhe aktet tjera nënligjore”, shtoi ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala tha se nuk do votojnë për shkarkimin e këtij bordi, meqë kjo tentativë është e jashtëligjshme.

“Ky bord është zgjedhur në mënyrë të paligjshme dhe me ndërhyrje direkte politike, e kemi thënë kur është zgjedhur. Të përzgjedhurit e kryeministrit Kurti, të intervistuar në zyrën e tij, është zgjedhur jashtëligjshëm dhe sot po e njëjta strukturë politike po i shkarkon jashtëligjshëm prapë. Jashtëligjshëm sepse është ndryshuar ligji mbi të cilën ata janë zgjedhur dhe sot kemi një ligj të ri në funksion të dedikuar vetëm për shkarkim të anëtarëve të juaj që ju i keni zgjedhur. Dhe si rezultat i kësaj tash e një vit, rregullatori i minierave është jashtë funksionit. 255 lëndë presin për të marrë përgjigje që rregullojnë industrinë minerare, nxjerrëse, hulumtuese dhe përpunuese e 250 kompani, me qindra e mijëra punëtorë sot janë në pritje të vendimeve, por që fatkeqësisht tash e një vit ky rregullator nuk është funksional”, u shpreh ai.

Shala shtoi se të gjitha kërkesat e minatorëve të Trepçës i mbështesin fuqishëm, ku bëri thirrje që qeveria të reflektojnë për këtë sektor. Shala tha se këta minatorë që janë në grevë, nuk po i viziton askush.

“Asnjë nga institucionet e shtetit nuk i ka vizituar, askush nuk është merr me ta. Asnjë komunikatë zyrtare, asnjë raport njerëzor dhe human, sepse janë nëntokë nuk e kemi nga shteti. Pse qeveria frikësohet të komunikojë me minatorët, kujt i frikohet apo është e vetëdijshme tashmë që i ka mashtruar thellë dhe keq. I ka mashtruar qeveria sepse ju premtoi Trepçës dhe minatorëve zhvillim, ju premtoi investime, rivitalizim, i premtoi investime në teknologji dhe hulumtime, siguri në punë, ndryshim të ligjit e shumëçka tjetër. Por asnjë nga këto qeveria nuk i përmbajti”, deklaroi Shala.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi tha se nuk do të marrin pjesë në votim për shkarkimin e këtij bordi.

“Ju vet këtë bord e keni emëruar dhe tani vet po e sjellni për ta shkarkuar. Unë jam e bindur që shkarkimi i këtij bordi është për shkak se nuk ju kanë dëgjuar, jo për shkak të defekteve apo gabimeve që i kanë bërë si bord. Ky shkarkim është i jashtëligjshëm dhe sigurisht ai komision ka mbetur pa bord funksional që një kohë të gjatë. Tani do të merr kohë edhe deri te zgjedhja e bordit të ri. Janë njerëz me kredibilitet, janë njerëz profesionist dhe nuk duhet të luhet me identitetin e tyre dhe kjo është kjo keqqeverisja e juaj që vet emëroni dhe vet shkarkoni. U bat horë me borde dhe me njerëz që po i emëroni. Ja po i emëroni familjarë, ja militantë të juaj. Dhe ata që po i emëroni dhe nuk po ju dëgjojnë, po i sjellin dhe po i shkarkoni”, u shpreh deputetja e LDK-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se në kohën kur bordi është emëruar nga pushteti aktual, ka pasur lëvdata publike për anëtarët. Edhe ai ka shprehur kundërshtinë për shkarkimin e këtij bordi në seancën e sotme plenare.

“Është pikërisht ky bord që kur është emëruar ka pasur një referencë, një lëvdatë publike për këta persona, të cilët sot janë para kuvendit për shkarkim. Pyetja e parë që do të doja ta shkarkoja për kolegët e mi në LVV është ‘çfarë ka ndryshuar?’. A ka mundësi të tregojë dikush se çfarë ka ndryshuar, veç një sqarimi narrativ që jepet në rekomandimin e komisionit, i cili shumicën e rasteve është referencë, përveç dy tri pikave ku konsiderohet si veprim i paligjshëm. Të gjitha pikat tjera janë detyra dhe përgjegjësi të një anëtari të një bordi. Pushteti, kjo qeveri ka ardhur me një premtim të madh që do të depolitizojë, do të sjellë në krye të agjencioneve ekzekutive dhe kushtetuese, dhe sot vijnë me një kërkesë për shkarkim me arsyen e vetme se diku këta persona nuk kanë arritur t’i përmbushin kërkesat që i ka kjo shumicë, kjo qeveri”, u shpreh ai.

Edhe Tahiri ka komentuar grevën e minatorëve të Trepçës, ku tha se duhet të merren masa nga institucionet.

Në seancën e sotme plenare, në rend të ditës është shqyrtimi i dytë i projektligjit për Pronën Publike, për Prokurorinë Speciale dhe ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

​Evertoni bëhet me pronar të ri

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA