​Kuvendi në përfundim të mandatit debaton për punën e qeverisë Kurti

Pak para përfundimit të mandatit të qeverisë Kurti, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mbajnë debat parlamentar më 2 dhjetor. Aty do të diskutojnë për punën katër vjeçare të ekzekutivit.

Kjo seancë, nga opozitarët u kualifikua si e domosdoshme për shpërfaqjen siç thanë “të dështimit të kryeministrit Albin Kurti dhe vartësve të tij”.

Ndërkaq, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, theksuan se në këtë seancë do të paraqiten “sukseset e ekzekutivit” tashmë gati në një mandat të plotë.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi tha se seanca e 2 dhjetorit është më e rëndësishmja në përmbyllje të legjislaturës së tetë të Kuvendit.

Sipas tij, aty do të diskutohen të gjitha veprimet “dëmtuese që qeveria Kurti i ka bërë gjatë mandatit të saj katërvjeçar”.

“Ajo çka është më e rëndësishme është seanca e ditës së hënë [më 2 dhjetor], ku do të diskutohet qeverisja katërvjeçare e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë seancë do të diskutohen të gjitha veprimet dhe mosveprimet katërvjeçare dhe të gjitha masat dhe veprimet dëmtuese që qeveria Kurti i ka bërë në këto katër vite. Ne si Grup parlamentar i dhamë përkrahje kërkesës së AAK-së që të mbahet kjo seancë dhe jemi të gatshëm për debat me kryeministrin dhe përfaqësuesit e tij, në një seancë e cila do të jetë më e rëndësishmja përmbyllëse të kësaj legjislature”, tha ai.

Mbajtja e kësaj seance është me kërkesë të AAK-së, e cila ka qenë e deponuar në Kuvend qysh nga marsi i këtij viti kur qeveria Kurti i ka bërë tri vjet në pushtet, mirëpo e njëjta është shtyrë me kërkesë të vet kësaj partive.

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri e konsideroi të nevojshme, siç tha ai shpërfaqjen e një “qeverisje të dështuar që ka dëmtuar vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm”.

Krahas kësaj, ai vazhdoi ta quaj të kundërligjshëm Ligjin për buxhetin e vitit 2025, por tha se nuk do ta dërgojnë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Të shpërfaqim një qeverisje të dështuar e cila përveç faktit që ka dëmtuar në rrafshin e jashtëm, në rrafshin e brendshëm ka problemet më serioze që ndërlidhen nga mirëqenia dhe ekonomia në secilën sektor. Për katër vjet asnjë projekt nuk është përmbyllur. Për katër vjet, një mandat kjo qeveri do të përshkruhet si qeveri që e ka normuar kundërligjshmërinë në fusha të ndryshme. Ky debat do të jetë ballafaqimi i kësaj qeverie me AAK-në si thirrëse e këtij debati dhe opozitën në mënyrë që të shpërfaqim defektet që kanë ndodhur….[Kryeministri Kurti] Nëse ikë edhe prej këtij debati, ai e merr barrën e dështimit dhe synon që pak para zgjedhjeve të ikë dhe mosballafaqohet me mospunë, dështim dhe shkatërrim të ekonomisë së Kosovës”, theksoi ai.

Dy opozitarëve iu kundërpërgjigj shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se kjo kërkesë e opozitës është e vjetruar, megjithatë sipas saj kryeministri Kurti dhe mazhoranca në Kuvend janë të gatshëm të “ballafaqohen për punën e tyre në katër vjet qeverisje”.

“Një kërkesë e opozitës gati se e vjetruar pasi tashmë është bërë në mars të këtij viti, kur janë bërë tri vite qeverisje. Përkundër gatishmërisë së kryeministrit dhe pozitës që të mbajnë këtë debat ka pasur shtyrje me kërkesë të opozitës. Sot opozita e kërkoi një finalizim të datës dhe kjo datë u caktua 2 dhjetori, ditë e hënë. Aty do të debatohet tashmë për gati një mandat të plotë të qeverisë Kurti dy”, deklaroi Kusari-Lila.

Krahas kësaj, ajo pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendi tha se ky institucion do të mbajë edhe dy seanca plenare më 5 dhjetor, ku synohet të miratohen projektligjet që janë në shqyrtim.

“Si pozitë synojmë që në masë të madhe të përmbyllim edhe projektligjet që janë në lexim të dytë dhe projektligjet që do të trajtohen në mënyrë që përmbyllja e mandatit apo legjislaturës së tetë të kurorëzohet me të gjitha projektligjet që kanë qenë bazë e programit zgjedhor. Gjithashtu edhe marrjes së besimit të qytetarëve për të shtyrë përpara reformën në drejtësi, ekonomi dhe administratë publike”, shtoi Kusari-Lila.

Ndër të tjera, në seancën e 5 dhjetorit pritet të shqyrtohet edhe Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme./KP

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA