Kuvendi i Kosovës ka vendosur për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.
Vendimi kaloi me 89 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.
“Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.
Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.
Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.
Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.
Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.
Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë.






