Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pranueshme ankesat e deputetëve të PDK-së dhe të LDK-së për Ligjin për Zyrtarët Publikë, teksa ka konstatuar se është pjesërisht antikushtetues.
“Në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata njëzëri ka vendosur që (i) kriteri “i përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Megjithatë, organi më i lartë juridik në vend, i hapi rrugë dekretimit të këtij ligji.
“Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi: (i) të konstatojë që në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, Ligji i kontestuar i dërgohet presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Reagimi i opozitës në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i menjëhershëm, duke e cilësuar fitore të demokracisë.
“Ky aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, për të shtatën herë me radhë konfirmon veprimtarinë dhe aktivitetin antikushtetues të kësaj qeverie dhe paraqet në të njëjtën kohë, goditje të drejtpërdrejtë të tendencave dhe përpjekjeve të pushtetit autokratik të Albin Kurtit për të kapur dhe nënshtruar administratën shtetërore dhe ta kthejë në çerdhe të militantëve, familjarëve dhe partisë së tij”, thuhet në reagimin e PDK-së.
“Për tri vjet qeverisje, partia në pushtet ka shkelur 4 herë Kushtetutën, derisa janë edhe disa ligje që janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese. Këto shkelje tregojnë më së miri mospërkushtimin e kësaj Qeverie për shtetin e së drejtës”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Ligji për Zyrtarët Publikë nga Qeveria u pa si pika kyçe për reformën e administratës publike dhe rrjedhimisht adresimin e nevojave të shoqërisë.
Ndryshe më parë, Kushtetuesja kishte konstatuar se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kishte ndërhyrë në kompetencat e Komunës së Kamenicës për reformën në arsim, derisa Ligji për Këshillin Prokurorial ishte rrëzuar.
Ndërkohë, në shqyrtim, kjo Gjykatë e ka edhe Ligjin për Pagën Minimale, pas dërgimit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: