Shkëlqim Kastrati është personi që mbeti i plagosur mbrëmë me armë zjarri pas të shtënave në rrugën “Feriz Guri” në Veternik të Prishtinës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ai aktualisht është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi ka pësuar lëndime trupore.
Për rastin, siç bëri të ditur Prokuroria po dyshohet personi N.B.
Megjithatë, sipas informacioneve të raportuara, Shkëlqim Kastrati ka një të kaluar kriminale dhe është përmendur në disa raste të mëparshme.
Kastrati është shtetas i Kosovës dhe dyshohet për përfshirje në disa incidente me armë zjarri në Prishtinë. Ai është raportuar se ka qenë edhe në kërkim ndërkombëtar.
Në muajin maj të këtij viti, Kastrati ishte arrestuar lidhur me një incident me armë zjarri në “Rrugën B” në Prishtinë. Gjatë operacionit, policia kishte sekuestruar edhe një motoçikletë të gjetur në vendin e ngjarjes.
I kërkuar edhe në Gjermani
Shkëlqim Kastrati rezulton se ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga viti 2017 nga autoritetet gjermane, nën dyshimin për “vrasje me dashje në tentativë”.
Sipas raportimeve, rasti kishte ndodhur në një klub nate në Gjermani, ku ai dyshohet se kishte qëlluar me armë zjarri ndaj një punonjësi sigurie. Viktima kishte shpëtuar falë jelekut antiplumb.
Pas incidentit, Kastrati ishte larguar dhe ishte fshehur në Shqipëri, ndërsa ndaj tij ishte nisur procedura për ekstradim në Gjermani.
Gjykata e Lartë e Shqipërisë kishte miratuar ekstradimin e tij në Gjermani, pasi ai rezultonte i kërkuar nga Gjykata e Villingenit që nga dhjetori i vitit 2017 për veprën penale “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë.





