Kurti takon Costan: Kosova e gatshme për statusin e vendit kandidat në BE

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, në kuadër të vizitës së tij në Kosovë, dy ditë para Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tivat.

Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti e falënderoi Costan për mbështetjen e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke theksuar se BE-ja mbetet partneri kryesor zhvillimor i vendit.

Gjatë takimit, Kurti vuri në pah progresin që Kosova ka shënuar në vitet e fundit në fusha të ndryshme, duke theksuar se vendi ka realizuar “progres të rëndësishëm në reforma, demokraci dhe ekonomi, me përmirësime në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, lirinë e mediave dhe demokracinë zgjedhore e liberale, si dhe me rritje ekonomike të qëndrueshme, ndër më të shpejtat në rajon”.

Ai po ashtu ritheksoi përkushtimin e Qeverisë ndaj reformave që burojnë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian dhe instrumentet e tjera të para-anëtarësimit, duke nënvizuar rëndësinë e avancimit të Kosovës në rrugën evropiane.

“Në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin me institucionet e Bashkimit Evropian, sigurinë dhe rëndësinë e fqinjësisë së mirë në funksion të bashkëpunimit rajonal”, thuhet në njoftim.

Qeveria rikujtoi se Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së, ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe i është bashkuar të gjitha sanksioneve evropiane kundër Rusisë.

Kjo ishte vizita e dytë e Presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, në Prishtinë, pas asaj të realizuar në maj të vitit të kaluar.

Në përfundim, Qeveria vlerësoi se “me progresin e shënuar në vitet e fundit, me forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e lirive, forcimin e institucioneve demokratike dhe zhvillimin ekonomik, Kosova është e gatshme për statusin kandidat dhe hapjen e negociatave”. /Telegrafi/

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA