Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje sistemit të drejtësisë që të adresojnë me urgjencë krimet e luftës.
Ai para kabinetit qeveritar, në mbledhjen e së martës, tha se krimet e luftës asnjëherë nuk vjetërsohen, por sipas tij është e rëndësishëm që të njëjtat të adresohen sa më shpejtë, pasi dëshmitarët po vjetërsohen dhe po vdesin.
Kurti bëri të ditur se vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti policia e Kosovës ka intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës.
“Për të dokumentuar me saktësi të gjitha krimet, meqenëse shpeshherë kemi shpërputhje të të dhënave nga burime të ndryshme, kemi funksionalizuar Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, për të cilën tashmë janë hapur 25 pozita…Me strukturën e re të miratuar tashmë në Policinë e Kosovës e kemi ngritur në nivel të drejtorisë së hetimeve të krimeve të luftës me 41 hetues. Pra më shumë se qind për qind ngritje e zyrtarëve përkatës. Derisa gjatë vitit 2023 hetuesit e krimeve të luftës i kanë intervistuar 191 dëshmitarë me rritjen e numrit të hetuesve vetëm në këta muajt e parë të vitit 2024 janë intervistuar 169 dëshmitarë të krimeve të luftës. Kemi mundësuar gjykimin në mungesë të krimeve të luftës, gjatë këtij mandati kemi bërë ndryshimet e nevojshme ligjore që kriminelët e luftës të përballen me drejtësi. Andaj nga këtu i bëj thirrje sistemit të drejtësisë për adresim me urgjencë për rastet e krimeve të kryera gjatë luftës. Këto krime nuk vjetërsohen, por dëshmitarët janë gjithnjë edhe më të moshuar”, tha ai.
Krahas kësaj, Kurti bëri thirrje qytetarëve që të përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, që pritet të fillojë me 5 prill.
“Krahas thirrjes për të deponuar sa më shumë dëshmi për krimet e kryera kudo në Kosovë, në institutin e themeluar, i bëj thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë. Nuk kemi mangësi vetëm te shpërputhja e të dhënave, por edhe mungesa e tyre. Për herë të parë në këtë regjistrim të popullsisë është përfshirë edhe pyetësori i dëmeve nga lufta 1998-1999 në ekonomitë familjare…Ky regjistrim që fillon të premten me datë 5 prill, përveç që do të na jep një pasqyrë të së tashmes do të na siguroj edhe një evidencë të së kaluarës. Të mos kemi të dhëna të ndryshme për fakte të njëjta dhe mos të keni mungesë të dhënave për ato që i dina sepse i kemi jetuar dhe familjarët vazhdojnë t’i vuajnë edhe sot e kësaj dite”, përfundoi ai.