Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar viktimat e vrara shqiptare nga dora e kriminelëve serbë gjatë luftës 25 vjet më parë në Reznik të Vushtrrisë.
Gjatë luftës në vitet 1998-1999 shqiptarët nuk ishin të sigurt as në Reznik, e askund tjetër në Kosovë.
Fshati Reznik i Vushtrrisë ishte bërë strehë për mijëra civilë shqiptar nga Drenica, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre që granatoheshin nga ushtria e Serbisë.
Kryeministri Kurti ka thënë se civilët e pambrojtur qëndronin në kushte të rënduara gjë që e dëshmoi edhe komisionarja e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Sadako Ogata gjatë vizitës në shtator 1998.
“Kujtojmë sot civilët e vrarë në Reznik. Nuk e harrojmë asnjëherë dhembjen e qëndresën e popullit tonë. Më 6 prill 1999, katër njësi të forcave të armatosura të Serbisë hynë me dhunë në katër shtëpitë e vëllezërve Ujkani. Në kohë të njëjtë, vranë nëntë anëtarë të kësaj familje, e kështu vepruan më vonë edhe ndaj familjeve Mustafa, Makiqi dhe Bunjaku. Nuk i harrojmë të dashurit tonë që i humbëm në rrugën e vështirë deri te fitorja e çlirimi. Nderojmë përditë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës,” ka shkruar Kurti në Facebook.







