Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm dhe i interesuar për bashkëpunim institucional, por theksoi se mbetet të shihet në muajin shkurt nëse ekziston gatishmëri edhe nga opozita për një raport të ri Qeveri–Opozitë.
Gjatë një vizite në Odën e Mjekëve të Kosovës, Kurti tha se duhet parë në Kuvend nëse ka atmosferë për një bashkëpunim të ri politik, duke nënvizuar se kjo është e domosdoshme për çështje të rëndësishme shtetërore që kërkojnë dy të tretat e votave të deputetëve.
“Ne duhet të shohim në Kuvend se a ka atmosferë për një raport të ri Qeveri–Opozitë. Nuk mund ta them këtë paraprakisht, por muaji shkurt do të na tregojë nëse mund të hapim një kapitull të ri të raporteve tona”, tha Kurti.
Ai theksoi se populli i ka dhënë një mbështetje të madhe Lëvizjes Vetëvendosje, gjë që përbën një përgjegjësi të lartë për formimin e Qeverisë së re, por shtoi se për marrëveshjet ndërkombëtare dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes nevojitet bashkëpunimi i opozitës.
Kurti konfirmoi gjithashtu se ka qenë në komunikim dhe takim me presidenten Vjosa Osmani, por theksoi se ky proces vjen vetëm pasi të përmbushen disa hapa paraprakë institucionalë, përfshirë certifikimin e rezultateve zgjedhore, konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
Ai shtoi se ndër prioritetet e menjëhershme janë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë tri marrëveshje me Bankën Botërore dhe Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej mbi 882 milionë euro.
Në fund, Kurti përsëriti se gatishmëria për bashkëpunim nga ana e tij ekziston dhe se muaji shkurt do të jetë përcaktues për raportet e ardhshme politike në Kuvend.






