Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga Gjakova ka lëshuar një mesazh të qartë për partitë opozitare, duke theksuar se është më e favorshme për shtetin që të votohet Glauk Konjufca për kryeministër, sesa të shkohet sërish në zgjedhje.
Kurti ka kërkuar bashkëpunim nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma, duke theksuar se zgjedhja është në duart e tyre: “Meqenëse nuk i mora 61 votat e nevojshme, dhamë propozimin (Glauk Konjufcën mandatar për formimin e Qeverisë) pa vonesë, me këtë do të merremi menjëherë pas balotazhit, dhe opozita e ka në dorë ta zgjedh rrugën e mëtutjeshme, ose Kurti 2.5 drejt zgjedhjeve në dhjetor, ose Konjufca 1 drejt zgjedhjeve në prill, cilado prej tyre për neve është e pranueshme, por le të bashkëpunojmë e të ecim përpara. Ne fituam zgjedhjet, por më shumë se zgjedhjet duam ta formojmë qeverinë, ne kemi 48 deputetë, dhe kemi më shumë deputetë se PDK e LDK bashkë”, ka deklaruar Kurti për TV Syri në Gjakovë.
Sipas tij, Kosova do të përfitonte më shumë nëse Kuvendi do ta votonte Glauk Konjufcën për kryeministër, për të mundësuar një qeveri të përkohshme që do të miratonte buxhetin për vitin 2026.
“Për Republikën e Kosovës është më e favorshme të votohet Glauk Konjufca, dhe ta kemi një qeveri që e voton buxhetin, buxhetin për RTK-në, buxhetin për Prishtinën, Gjilanin e Zubin Potokun, dhe të shkojmë në zgjedhje në prill, për shkak se me kaq vështirësi 61 numra, për zgjedhje apo rizgjedhje të presidentit i kemi vështirë t’i bëjmë 80 deputetë në sallë, prandaj më mirë është ta kemi një qeveri afatshkurtër deri në muajin prill, por këtë nuk e vendosim vet, këtë e ka në dorë opozita. Është një ofertë gjeneroze, sepse së pari u zëvendësua Albulena Haxhiu me Dimal Bashën, dhe tani unë me Glauk Konjufcën, vetë ne kemi lëvizuar, ndërsa kemi fiksim dhe bllokim dhe njëlloj refuzimi as të logjikshëm as racional nga ana e subjekteve opozitare”, ka theksuar ai.







