Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga Podujeva, ka deklaruar se kabineti i tij qeveritar do t’i ketë pothuajse të njëjtët emra që i kishte prezantuar më herët ai dhe Glauk Konjufca, ndonëse jo identikë, pasi ata nuk kishin marrë votat e mjaftueshme.
Ai foli edhe për çështjen e postit të presidentit apo presidentes, për të cilën u shpreh optimist se procesi do të ecë mirë.
Kurti ka theksuar rëndësinë që institucionet e vendit të formohen sa më shpejt, në mënyrë që Kuvendi të mund të miratojë marrëveshjet ndërkombëtare me Bankën Botërore, Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, si dhe buxhetin e Kosovës. Sa i përket buxhetit, ai theksoi se nuk mund të vazhdohet me financimin 1/12 edhe gjatë muajit mars.
“Do të ketë shumë prej emrave që tashmë i kam prezantuar unë dhe Glauk Konjufca vjeshtën e vitit të kaluar, mirëpo nuk do të jenë identikë. Do të ketë edhe emra të tjerë. Ne po përgatitemi që së pari ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë qeverinë, sepse, siç e dini, kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore dhe njëkohësisht e kemi edhe Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, që është 882.6 milionë euro dhe që duhet sa më parë ta miratojmë në Kuvendin e Republikës, pa harruar që kemi më së shumti përgjegjësi, obligim, por do të thosha edhe preferencë, e ky është buxheti për vitin 2026. Ju e dini që me 1/12 qeveria në detyrë mund të vazhdojë vetëm edhe për muajin shkurt, ndërsa për muajin mars nuk mund të vazhdohet kësisoj. Andaj, në muajin shkurt duhet ta kemi të përmbyllur edhe çështjen e buxhetit”, tha Kurti.
Sa i përket postit të presidentes apo presidentit, Kurti theksoi se fillimisht duhet të përmbyllen tri çështjet e lartpërmendura.
“Njëherë këta tre hapa do t’i përmbyllim, pastaj edhe te hapi i katërt do të ecim mbarë e mirë”, u shpreh ai.






