Albin Kurti nuk është paraqitur në Prokurorinë Speciale të martën në orën 10:00, sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Kryeministri, i cili është ftuar nga Prokuroria Speciale për të dëshmuar në një rast penal të keqpërdorimit të detyrës, në vend të zbatimit të urdhëresës së gjykatës, ka zgjedhur të jetë në Gjilan.
Sipas agjendës së Zyrës së Kryeministrit, Kurti do të marrë pjesë sot në vënien e gurit themeltar të çerdhes së re në Gjilan.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, do të vendosin gurin themeltar të çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurit themeltar bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.
Zyra e Kryeministrit ka thënë se Kurti është i gatshëm të dëshmojë, por jo në ambientet e Prokurorisë. Ai i kishte ftuar prokurorët në zyrën e tij.