Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu, nënkryetarin Ardian Gola dhe përfaqësues të tjerë shtetërorë, bënë homazhe në Qirez dhe Likoshan për të nderuar martirët dhe dëshmorët në 28-vjetorin e masakrës.
Kurti tha se kur ndodhi masakra në Qirez e Likoshan u bë edhe një ndërgjegjësim i madh i popullit.
“Në mesin e tyre ishte edhe gruaja shtatzënë në muajin e shtatë, Rukije Nebihu, 27 vjeçare, e cila në prehër e kishte vajzën tre vjeç që e takuam sot këtu. Por u vranë shumë të familjes Ahmeti, Sejdiu, pastaj Behrami, Fazliu, Rama, dhe katër dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të familjeve Rexhepi dhe Gjeli, në një përballje të pabarabartë me forcat e Serbisë, të cilët për 28 orë kanë goditur, kanë shtënë me artileri të rëndë, kanë pasur autoblinda dhe helikopter. Por pikërisht në kohën e kësaj masakre, me 28 shkurt të vitit 1998, kur për 28 orë rresht, artileria dhe forcat e armike të Serbisë sulmuan popullsinë këtu, u bë një ndërgjegjësim i madh i popullit jo vetëm në Kosovë, por anë e mbanë trojeve që shqiptarët i popullojnë në Ballkan, edhe të mërgatës sonë, e që filloi edhe një vetëdijësim gjithnjë më i madh edhe i këtyre kancelarive diplomatike botërore, po njëkohësisht edhe i opinionit publik ndërkombëtar”, tha ai.
Kurti theksoi se çmimi i lartë i lirisë i obligon institucionet ta forcojë Forcën e Sigurisë së Kosovës, “në mënyrë që askush asnjëherë të mos guxojë më të na mësyjë e të na vrasë sikurse në të kaluarën”.
“Gjaku i tyre është tek rrënjët e lirisë, tek themelet e shtetit, dhe natyrisht është kujtesë e përjetshme historike se si duhet ta mbrojmë dhe duam Republikën tonë dhe popullin tonë”, tha ai.
Masakra në Likoshan dhe në Qirez, në të cilën janë vranë 24 persona, është e para nga ato që shteti serb i ka kryer në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.






