Përgatiti: Benita Zeneli
Në të gjithë sektorët që përmendi, kryeministri Albin Kurti tha se është krenar për arritjet e qeverisjes së tij gjatë plot 3 vjetëve. Andaj duke komentuar deklaratat për gatishmëri që të shkohet në zgjedhje, kryeministri tha se me të gjitha arritjet nuk ka arsye për këtë.
“Pra, ne po qeverisim mbarë e mirë dhe këto janë të arriturat, jemi rehat në punën që bëjmë. Pra, vetëm nëse opozita do zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi e të bisedojmë për shpërndarjen e Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje, por nuk ka pse të rrëzohet qeveria. Qeveria e mbarë e mirë nuk rrëzohet”, tha Kurti
Puna për qeverisje të mirë megjithatë s’ishte e lehtë. Për atë, kritikat që dialogu i mori kohë, nuk po i vlerëson të duhura, duke shtuar se vazhdon të mos jetë prioritet.
“Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë”, tha Kurti.
Kurti në këtë konferencë u paraqit bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, i cili, gjithashtu, përmendi arritjet e dikasterit të tij në nivel vendi.
Në zgjedhjet e mbajtura para tre vjetësh, Lëvizja Vetëvendosje fitoi bindshëm duke marrë më shumë se 50 % të votave.