32.5 C
Pristina
E hënë, 8 Korrik, 2024

Kurti: Kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka alarmuar duke thënë se kërcënimet ndaj sigurisë së Kosovës janë në rritje. Sipas tij, një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë e Serbisë.

Në një opinion të botuar në “The New York Times”, kur ka folur për rolin e NATO-s në Kosovë, Kurti e ka përmendur edhe sulmin terrorist në Banjskë, veprim ky që u cilësua destabilizues nga SHBA.

“Megjithatë, edhe pse demokracia e Kosovës është në rritje, kërcënimet ndaj sigurisë së saj janë gjithashtu në rritje. Në muajin shtator, trupat paraushtarake serbe, të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se vinin nga Serbia, zunë pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës, në atë që qeveria e SHBA-së, e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshinte armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan pranë kufirit tonë, një veprim i cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si ‘destabilizues’.

Mes tjerash, Kurti ka lëshuar akuza në drejtim të Serbisë për pengim të integrimit të serbëve në Kosovë.

“Në vitin 2017, Aleksandar Vuçiq, ish-ministër i propagandës nën udhëheqjen e Millosheviqit, u bë president i Serbisë. Ngritja e tij shënoi kthesë në politikën autoritare, etno-nacionaliste të Millosheviqit, veçanërisht në llojin ekspansionist. Politika autoritare e Beogradit ua vështirësoi jetën veçanërisht serbëve etnikë në Kosovë. Atyre iu desh të luanin rolin e tyre si pakicë, në një vend të ri me një popullsi prej përafërsisht 93 për qind shqiptarë etnikë dhe 7 për qind pakica të tjera, duke përfshirë romët dhe turqit. Serbia e ka penguar këtë integrim. U desh trimëri që serbët etnikë t’u bashkoheshin institucioneve dhe të bëheshin pjesëmarrës aktivë në vend”.

Teksa e ka përmendur edhe rritjen e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë vitin e kaluar, nga 3770 në 4500, Kurti tha se Kosova njihet si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor dhe për këtë kontribut të madh ka dhënë NATO-ja.

“Ky transformim nuk është arritur vetëm si pasojë e veprimeve të NATO-s; është kërkuar përpjekje nga shumë parti, dhe më e rëndësishmja është vendosmëria e popullit kosovar, i cili u angazhua në procesin politik. Por NATO-ja e bëri të mundur këtë realitet dhe nuk është rastësi që lufta në Ukrainë shënon luftën e parë të madhe evropiane në mbi 100 vjet, në të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë marrë pjesë. Paqja është punë e vështirë dhe dinamike, ajo duhet të ruhet vazhdimisht”.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA