Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që t’i përgjigjet vullnetit të qytetarëve të Kosovës për integrim evropian duke avancuar vendin drejt statusit të kandidatit dhe hapjes së negociatave për anëtarësim.
Këtë kërkesë Kurti e bëri gjatë takimit me drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.
Sipas Kurtit, Bashkimi Evropian mbetet një partner i rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës, ndërsa anëtarësimi në BE është synim strategjik i vendit.
“Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, ka shkruar Kurti.
Ai theksoi se Kosova vazhdon të renditet ndër vendet më të avancuara në rajon në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, të drejtave politike dhe lirive civile, si dhe në indeksin e zgjedhjeve dhe demokracive liberale.
Gjatë takimit me Supertin u diskutua edhe për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, integrimin e Kosovës në zonën “Roam Like at Home”, Procesin e Berlinit, bashkëpunimin rajonal dhe përfaqësimin e barabartë, si dhe për zhvillimin e infrastrukturës, tregtisë, digjitalizimit dhe arsimit.





