Përgatiti: Fatlum Jashari
Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, mes tjerash, kryeministri Albin Kurti zhvilloi takime me krerë të shteteve jo-njohëse të Kosovës.
Në takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, i cili ditë më parë ri-konfirmoi pozicionin e pa-ndryshuar në raport me Kosovën, Kurti foli për procesin e dialogut me Serbinë, rregulloren e BQK-së dhe energjinë.
“Ai e njoftoi kryeministrin Mitsotakis se pas ankandit të parë solar 100 MË, do të ketë edhe një ankand tjetër për energji të erës, i cili paraqet një mundësi të re dhe shtesë për investime në Kosovë nga kompani greke”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Pos dialogut dhe rregullores së BQK-së, siguria në rajon ishte një nga temat në takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Zeljko Komsic.
“U bisedua për përfitimet nga bashkëpunimi rajonal si dhe sfidat në këtë drejtim. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet dy vendeve”, thuhet më tej në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Për sigurinë dhe çështjet aktuale, kryeministri kosovar diskutoi edhe me Përfaqësuesin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, lord Stuar Peach.
Ndërsa për ambiciet e Kosovës për anëtarësim në Partneritetin për Paqe dhe NATO, Kurti foli në takimin me deputeten finlandeze, Tytti Tuppurainen.