Kryeministri i Kosovës dhe kreu i LVV-së, Albin Kurti ka vendosur ta avancojë Arlind Manxhukën, zëdhënësin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e emëruar në pozitën e Zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës.
Në vendimin e nënshkruar nga Kurti thuhet se Manxhuka, i cili njëkohësisht është edhe Këshilltar Politik në Zyrën e Kryeministrit, do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë që parashihen me Ligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe detyra shtesë të caktuara nga Kryeministri.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 94 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 9 (1.3), nenin 13 (2 dhe 5) dhe nenin 17 (2) të Ligjit Nr. 08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës, si dhe nenin 24 (1) të Rregullores (QRK) Nr.04/2026 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Ministrive, nxjerr: Z. Arlind Manxhuka emërohet Zëdhënës i Qeverisë, i cili njëkohësisht është Këshilltar Politik i Kryeministrit”, thuhet në vendimin e qeverisë të publikuar nga Demokracia.







