Përgatiti: Krenare Mulliqi
Përjashtimi i specialistëve nga shtesat, është vetëm njëri prej neneve me të cilin shërbyesit civil nuk po pajtohen në projekt-rregulloren për klasifikimin e vendeve të punës në këtë sektor.
Rregullorja e cila u miratua nga Qeveria, përjashton specialistët e shkencave shoqërore si dhe inxhinierët, gjeologët e gjeografët. Ndërkaq, sipas kryetarit të sindikatës së shërbyesve civilë, Ali Sefaj, në disa sektorë më shumë i është kushtuar rëndësi kualifikimit sesa përvojës.
Sefaj thotë se kërkesat e tyre nuk u morën për bazë.
Përpos kësaj, Qeveria miratoi edhe tri projekt-rregullore, atë për themelimin e marrëdhënies së punës me kontratë për periudhë të caktuar, rregulloren për orarin e punës, pushimet dhe vijueshmërinë e zyrtarëve publikë dhe rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores për procedurën e pranimit në shërbimin civil.
Këto rregullore nuk janë bërë ende publike.