Përgatiti: Jeta Selmanaj
Kundërshtimet e protestat e qytetarëve dhe të Asamblesë Komunale të Klinës kanë arritur të ndalin ndërtimin e Fabrikës së çimentos në fshatin Dollc.
Aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës i ka dhënë të drejtë vendimit të Asamblesë Komunale për kundërshtimin e ndërtimit të fabrikës nga kompania “Wallingford International Kosova” L.L.C.
“Aktvendimi i Gjykatës i jep të drejtë vendimit të Asamblesë Komunale në Klinë dhe i bie praktikisht që vendimi i kësaj asambleje është i plotfuqishëm dhe është obligues për komunën që të zbatohet. Ky vendim i asamblesë vlen të theksohet: anulohen të gjitha pëlqimet dhe dokumentet e tjera urbanistike të cilat janë dhënë lidhur me gurorë për furnizim me lëndë të parë për fabrikat e çimentos. Po ashtu, obligohet Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit që paraprakisht pas pranimit të kërkesave dhe draft-dokumenteve urbanistike, sipas këtij vendimi, t’i drejtohet kuvendit komunal”, tha Veton Raci, organizator i protestave.
Udhëheqësi i banorëve që kundërshtuan ndërtimin e kësaj fabrike, Veton Raci, ka kërkuar nga kryetari i komunës së Klinës ta shkarkojë Lorenc Marlekajn dhe drejtorin aktual të Urbanizmit, Enver Berisha, i cili ka dhënë leje për ndërtimin e kësaj fabrike.
“Kërkojmë që pezullimi të shndërrohet në vendim për anulimin e pëlqimit mjedisor për kompaninë “Wallingford International Kosova” L.L.C. Po ashtu, nga niveli komunal kërkojmë që me marrjen e këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kryetari i komunës të nxjerrë vendim për shkarkimin e drejtorit, Lorenc Marlekaj, si dhe shkarkimin e drejtorit aktual të Urbanizmit, Enver Berisha, i cili kishte nxjerrë vendim për lëshimin e lejes për ndërtimin e fabrikës së çimentos”, tha Raci.
Rreth 3 mijë qytetarë kishin nënshkruar peticionin kundër ndërtimit të fabrikës. Kundërshtimet për ndërtimin e fabrikës e kishin përkrahur edhe kryetarët e Pejës, Istogut e Malishevës, komuna këto në afërsi të Klinës.
Ankesa kryesore e protestuesve ishte ndotja e ambientit gjë që mund të çonte në largimin e banorëve nga zona.